Lajme

Jahjaga për rastin e dhunimit të 11-vjeçares: Aktet e tilla çnjerëzore nuk i kanë hije Kosovës, kemi mjaft plagë të hapura


Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar për dhunimin seksual ndaj vajzës 11 vjeçare në Kosovë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Jahjaga ka thënë se është e shokuar nga ky rast.

“Në atë moshë, kur vajza duhet të jetë duke e krijuar imazhin e saj për botën ideale, një sulm i tillë i lë pasoja të paimagjinueshme, me të cilat kjo vajzë, viktima më e fundit e një sulmi seksual, duhet të jetojë përgjithmonë”, ka shkruar ajo.

Ish-presidentja ka bërë thirrje tek organet e drejtësisë që të dënohen kryesit e kësaj vepre.

“Andaj, i bëj thirrje organeve të drejtësisë që t’i dënojnë sulmuesit me të gjithë forcën e ligjit, ndërsa organet e tjera të merren me rehabilitimin psikologjik të viktimës, e cila ka nevojë më shumë se kurrë më parë ta shoh që shteti është aty për të”.

Sipas saj, për veprime të ngjashme si kjo duhet të veprojnë e gjithë shoqëria.

“Shoqëria jonë duhet t’i dënojë ashpër veprimet e tilla, si dhe të gjithë ne kolektivisht duhet të punojmë që viktimave tu japim gjithë mbështetjen e nevojshme”.

Ndërkaq ka shtuar se është koha që të ju jepet fund rasteve të tilla.

“Aktet e tilla çnjerëzore nuk i kanë hije Kosovës, kemi mjaft plagë të hapura. Dhuna ndaj grave e vajzave duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë!”.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë për Albanian Post se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Ulaj, ka theksuar se ndaj rastit të dhunimit të së miturës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka shtuar ajo.

Ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, ndaj dy të miturëve të cili dyshohet që së bashku me katër persona të tjerë dhunuan një të mitur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore