Lajme

Izraeli pritet të pranojë 50 mijë emigrantë hebrenj nga Rusia dhe Ukraina


Agjencia Hebraike për Izraelin ka njoftuar se pret në gjashtë muajt e ardhshëm ardhjen e të paktën 50 mijë emigrantëve të rinj hebrenj nga Rusia dhe Ukraina.

Referuar agjencisë, deri në gjashtë mijë emigrantë pritet të mbërrijnë në Izrael nga Rusia në secilin nga gjashtë muajt e ardhshëm. Dhe gjysma e kësaj shume pritet të mbërrijë nga Ukraina.

Ministrja izraelite e Integrimit, Pnina Tamano Shata, ka thënë se qeveria miratoi një buxhet të posaçëm prej 25 milionë dollarësh për të financuar thithjen e këtyre emigrantëve.

Doron Almog, kryetari i agjencisë, ka njoftuar planet për të ngritur një pistë speciale “aliyah Express” për të ardhurit e rinj rusë që do t’i lejojë ata të hipin në fluturimet për në Izrael përpara se të plotësojnë të gjitha dokumentet e nevojshme.

E gjitha për sa kohë që ata janë në gjendje të ofrojnë prova bazë që kanë të drejtën për të emigruar sipas Ligjit të Kthimit.

Ligji nënkupton se çdo individ me të paktën një gjysh hebre ka të drejtë për “aliyah”, ose imigrim hebre në Izrael, si dhe shtetësi automatike izraelite.

Një udhë e ngjashme u krijua në mars kur pritej një fluks masiv imigrantësh nga Ukraina e shkatërruar nga lufta.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, gjithsej 13 mijë e 172 ukrainas dhe 24 mijë e 707 rusë kanë emigruar në Izrael.

Kurse 35 mijë rusë të tjerë dhe afro 27 mijë ukrainas janë duke banuar aktualisht në Izrael. Ata ose janë duke pritur luftën si turistë ose janë në proces imigrimi.

Pas shpërthimit të luftës, Agjencia Hebraike ngriti stacione pranë kufijve të Ukrainës me Poloninë, Moldavinë, Rumaninë dhe Hungarinë për të ndihmuar refugjatët e interesuar për të emigruar në Izrael.

Marrë nga “Asharq AL-awsat”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore