Kosova

“Inflacioni i lartë shenjë e krizës”, Rukiqi: Të mos injorohet kriza ekonomike


Berat Rukiqi

Inflacioni në Kosovës, sipas Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, pritet të jetë ndër më të lartit që nga paslufta, kjo për shkak të krizës ekonomike në vend.

Shifrat e larta të inflacionit, sipas Rukiqit do të ndikojnë ekskluzivisht në mirëqenien e jetesës së qytetarëve.

Sipas tij kushdo që thotë se në Kosovë nuk ka krizë ekonomike e injoron problemin për shkak se inflacioni i lartë është shenjë e krizës.

“Gjë që do të ndikojë në përgjithësi në konsumin në shkallë vendi. Dhe kjo do të reflektohet edhe në shifrat e rritjes ekonomike. Tani jemi në një fazë ku mund të kemi një krizë të ofertës e cila lidhet edhe me mungesën e mundshme të produkteve dhe kjo veç e shton dozën e problemit të inflacionit”, ka thënë Rukiqi në një intervistë për Ekonomia Online.

Më tej Rukiqi ka bërë thirrje Qeverisë, që ajo t’i shfrytëzojë të gjitha politikat e mundshme në mënyrë që vendi të mos rrezikojë të shkojë në një recesion ekonomik.

Sipas tij për të parandaluar një krizë të thellë ekonomike, Qeveria duhet të rishikimin e normës së TVSH-së, dhe të suspendojë mbledhjen e akcizës së naftës për një periudhë të caktuar.

“Që fuqia blerëse të mos ndikohet duhet të stimulohet fuqia blerëse, një gjë e tillë bëhet me veprime që ndikojnë në uljen e çmimeve, ulja e normës së TVSH-së në zero apo tetë për qind për produktet të cilat janë esenciale, rishikimi i pagave në bazë të normës së inflacionit, apo edhe subvencionimi i një pjese të transportit të mallrave të cilat janë me rëndësi për shportën e konsumatorit”, ka shtuar ai.

Ndryshe Agjencia e Statistikave të Kosovës, të premten e 11 marsit pati njoftuar se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shkurt të këtij viti ishte 7.5 për qind.

Në anën tjetër, ditë më parë Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte potencuar se në Kosovë nuk ka krizë ekonomike, të paktën statistikisht.

Sipas Bislimit, performanca buxhetore në tre muajt e parë të vitit 2022 tregon se në Kosova ka rritje hyrave buxhetore në raport e vitin paraprak për 25.4 për qind.

“Diku 120 milionë kemi më shumë të hyra në buxhet sesa kemi pasur vitin e kaluar, e viti i kaluar ka qenë një vit jashtëzakonisht i mirë. Kjo tregon që përkundër brengave dhe përkundër dëshirës që të ngjallim një lloj paniku te qytetarët për krizë ekonomike, numrat e kundërshtojnë këtë në mënyrë të fuqishme”, kishte pohuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore