Shqipëria

I treti i radhës me tri marrëveshje – Ballkani i Hapur sot në Tiranë


I pari në Shkup, i dyti në Beograd, ndërsa Samiti i tretë i “Open Balkan” do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Edhe për “Open Balkan”, ashtu si për mbledhjen e qeverisë së Kosovës me atë të Shqipërisë, Elbasani ishte nikoqir i darkës informale mes përfaqësuesve të tre qeverive, anëtare të kësaj nisme.

Foto nga darka që u mbajt në Elbasan

Do të jetë numri një i qeverisë shqiptare, Edi Rama, i cili do të çelë siparin e bisedimeve që do të mbahen në mbledhjen e orës 9 të mëngjesit, këtë të martë të 21 dhjetorit.

Mandej, mbledhja do të pasohet me fjalimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe atë të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Pas tyre fjala do t’i takojë edhe komisionerit të Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi.

Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiç firmosin marrëveshjet në kuadrin e Open Balkan

“Open Balkan” do të marrë formë në orën 11.30, kur do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve në kuadër të nismës për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet tre vendeve.

Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve. Pritet që janari i vitit 2023 të faktojë marrëveshjen dhe të lejojë lëvizjen e lirë.

Po ashtu, do të nënshkruhet edhe marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të tre vendeve për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimore për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.

Ndërmjet qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, pritet të nënshkruhet marrëveshja për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – sigurim dhe siguri (AEOS).

Në këtë marrëveshje me qeverinë shqiptare, do të jetë pjesëmarrëse edhe ajo e Maqedonisë së Veriut.

Forumit Rajonal për Bujqësi dhe Bashkëpunim Rajonal do të jetë fokusi i radhës i mbledhjes së tre qeverive nismëtare të “Open Balkan”, e cila do të mbahet mesditën e kësaj të marte.

Mbledhja e radhës do të përmbyllet me një konferencë për shtyp nga tre krerët e lartë.

“Takim me shumë përfitime”

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nëpërmjet një deklaratë për mediat, një ditë më parë, ka reaguar mbi takimin e sotëm.

Sipas tij, ky takim do të sjellë shumë përfitime dhe se kërkon pjesëmarrjen e shteteve të tjera.

Duke përsëritur kështu edhe atë çka ishte e shkruar në letrën e hapur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe vetë ai.

Tre liderët nismëtarë të “Open Balkan” kanë ftuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Hercegovinën që të bëhen pjesë.

Ndërkohë Vuçiç ka bërë me dije se me takimin në Tiranë do të lehtësohen jo vetëm lëvizjet për qytetarët, por edhe për biznesmenët duke ndihmuar në lëvizjen e mallrave.

“Ne do të lidhim popujt tanë që të kenë një marrëdhënie shumë më të ngushtë nga ajo e kaluara”, ka deklaruar presidenti serb.

2023-shi pa kufij

“Qytetarëve tanë duhet t’u dëshmojmë që jemi të aftë të mendojmë për vetveten dhe të mos presim që dikush do të na udhëzojë apo drejtojë, të marrim përsipër fatin tonë”, ka deklaruar kryeministri serb.

Vuçiç njoftoi se, më 1 janar të vitit 2023, nuk do të ketë më kufij mes tre shteteve dhe nuk do të ndalohet më askush.

“Ne duhet të kemi besim të plotë te njëri-tjetri, sepse vetëm kështu nuk do të shikojmë të keqe apo qëllim të fshehtë në propozimet tona”, u shpreh ai.

Kurse Këshilli i Ministrave në Shqipëri është mbledhur pasditen e 17 nëntorit, ku dhe ka miratuar dy vendime në lidhje me lëvizjen në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka miratuar marrëveshjen e skemave për identifikim elektronik të shtetasve nga ky rajon.

Marrëveshjet e Open Balkan

Më 29 korrik, tre liderët – asokohe me kryeministrin Zaev – u takuan në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku e cilësuan nismën e tyre si Open Balkan (Ballkani i Hapur).

Ata firmosën disa marrëveshje. Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”.

Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor.

Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me agjendën evropiane.

Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet.

Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore