Shqipëria

Rama: Fokusi i Samitit ishte te njerëzit/ Nga janari, ndryshime të prekshme në kufij për bizneset


Nga konferenca e përbashkët për shtyp në kryeqytetin e Serbisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, fillimisht deklaroi se i gjithë fokusi i takimeve ka qenë te njerëzit, kompanitë, distributorët, fermerët, akademikët, studentët, të cilët janë fituesit realë të Open Balkan.

Referuar takimit të 4 nëntorit, kryeministri shqiptar ravijëzoi se bisedimet që ngrihen në nivel krerësh dhe udhëheqësish duhet të jenë të prekshme në nivel praktik.

“Jemi angazhuar që nga janari në kufijtë e vendeve të fillojë një relaksim shumë i ndjeshëm për kompanitë, distributorët dhe fermerët”, nënvizoi ai.

Kryeministri shqiptar në fjalën e tij tha se ky ishte thelbi i kësaj nisme, “zgjerimi i ekonomive tona, tregjeve tona”.

Numri një i qeverisë shqiptare, në lidhje me tregjet u shpreh se, “nëse këto tregje lidhen me njëra-tjetrën, fuqizohen përmes përftimit të investimeve të huaja direkte”.

Për Ramën, shembulli është Serbia, e cila ka thithur investime të mëdha të ekonomive të tjera në tregun e saj – prej investimeve të huaja direkte.

Ai deklaroi më tej se kemi eksportues nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria, nga një vend në një tjetër, të frutave dhe perimeve të freskëta apo të qumështit.

Kryeministri shqiptar solli në vëmendje takimin me përfaqësues të Këshillit të Atlantikut, të cilët kishin ardhur në mbështetje të nismës dhe të kësaj përpjekjeje.

Numri një i qeverisë shqiptare sqaroi më tej se do të ketë një qëndrim të përbashkët adresuar Bashkimit Evropian.

Rama ravijëzoi se qëndrimi për bllokimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mbetet absurd dhe se shtetet nuk kanë asnjë lëkundje në rrugën për të ndërtuar vendet – sipas standardeve të BE-së.

I pyetur nga gazetarët mbi Procesin e Berlinit, kryeministri deklaroi se procesi vendosi një kornizë vlerash dhe mbeti në rrugë – nga një samit në tjetrin.

Sipas Ramës, në pamundësi për të mos zbatuar ato që thuhen në proces, u krijua kjo nismë.

“Ballkani i Hapur nuk është për tre vende, është për të gjashta”, theksoi kryeministri shqiptar.

Por, kjo nismë, për Ramën nuk mund të merret peng nga asnjë shtet – referuar Bullgarisë që ka bllokuar me veton e saj – hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Çfarë kemi konkluduar si zbatim i Procesit të Berlinit dhe kur t’i përfshijmë kompanitë që kanë lidhje tregtare mes këtyre vendeve në një kanal jeshil, po ju them mos u habisni që kompanitë nga Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova do kërkojnë të vijnë para qeverive”, u përgjigj Rama.

Në përmbyllje,  kryeministri u angazhua se “duhet gjithçka për ekonomitë e vendeve tona dhe ne do të bëjmë gjithçka”.

Në Beograd u zhvillua takimi i radhës mes udhëheqësve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në takimin për nismën Open Balkan në Beograd, u përfaqësua nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov.

Kjo, pas dorëheqjes së parevokueshme së kryeministrit maqedonas Zoran Zaev.

Samiti i Beogradit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbërriti pasditen e vonë të 3 nëntorit 2021 në Beograd.

Me të mbërritur, ai u takua me presidentin serb dhe me kryeministrin malazez, Zdravko Krivokapiç.

Pas vizitës në kullën e Beogradit, udhëheqësit patën një darkë pune.

Në profilin e Vuçiç në Instagram, u postua një video e takimit me dy kryeministrat.

Aty ai shkruante se darka e punës, do të përfshijë edhe bisedimet mbi projekte të ndryshme infrastrukturore.

“Mirë se vini miq të dashur”, e përmbyllte Vuçiç postimin.

Open Balkan|Procesi i Berlinit

Kryeministri Rama ka deklaruar më herët se projekti “Open Balkan” është me efektiv sesa Procesi i Berlinit për rajonin, edhe pse është frymëzuar prej këtij të fundit.

“Ballkani i hapur është frymëzuar nga Procesi i Berlinit, zhvillim i natyrshëm i Procesit të Berlinit, instrument i krijuar në rajon për të vendosur përpjekjet për të zbatuar objektivat e Procesit të Berlinit”, tha kryeministri.

Nga Forumi i Tiranës për Ndërlidhjen Infrastrukturore të vendeve të Ballkanit me Evropën, Rama u shpreh se Procesi i Berlinit ka një problem.

Sipas numrit një të qeverisë shqiptare, autorësia e Procesit të Berlinit është jashtë rajonit dhe vëmendja e tyre nuk mund të përqendrohet vetëm te Ballkani.

Marrëveshjet e Open Balkan

Më 29 korrik, tre liderët – asokohe me kryeministrin Zaev – u takuan në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku e cilësuan nismën e tyre si Open Balkan (Ballkani i Hapur).

Ata firmosën disa marrëveshje. Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve.

Pritet që janari i vitit 2023 të faktojë marrëveshjen dhe të lejojë lëvizjen e lirë.

Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”.

Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor.

Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me agjendën evropiane.

Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet.

Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore