Lajme

Dorëheqja e paprecedentë e Zoran Zaev


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Mbrëmjen e 31 tetorit VMRO-DPMNE shpalli fillimisht fitoren në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut. Socialdemokratët e LSDM, nuk komentuan rezultatet, por veç procesin.

Ndërsa, kryetari i kësaj partie dhe njëkohësisht kryeministri i vendit, Zoran Zaev, dha dorëheqjen!

Më 26 tetor, ai e pati paralajmëruar se nëse partia e tij nuk do të fitonte Shkupin në zgjedhjet vendore, atëherë një dritare mbetej e hapur për largimin e tij.

Ashtu ndodhi…

Zoran Zaev deklaron se do të dorëhiqet nëse humb Shkupin

Në një vendim të paprecedent, Zaev do të mbajë funksionin e kreut të Qeverisë deri në formimin e një tjetre. Ndërsa rrjedha që situata politike në Maqedoninë e Veriut do të marrë, është ende e paqartë.

E vetmja gjë e qartë, është se rasti i Zaev, nuk është një rast tipikisht ballkanas.

Zaev atipik në një rajon të turbullt

E gjithë çështja që shtrohet, nuk është thjesht dorëheqja e Zaev-it, por fakti që ai këtë e ka bërë pas humbjes së zgjedhjeve vendore. Në mënyrë të beftë, i ka lënë si drejtimin e shtetit, ashtu edhe atë të partisë.

Çuditërisht, për të gjetur një dorëheqje posti udhëheqësi në tre dekadat e fundit, duhet të kthehesh në Shqipërinë e vitit 1997.

Asokohe, ishte Sali Berisha, në funksionin e presidentit, i cili do të dorëhiqej. Por, arsyeja ishte shpërthimi i luftës civile në Shqipëri pas falimentimit të firmave piramidale.

Sali Berisha në vitin 1997

Ndonëse dorëheqje, ajo erdhi në rrethana shumë ekstreme. Mbi të gjitha kur krahasohet me atë të Zaev-it.

Në mars 2005, Kosova do të ishte ajo, e cila do të sillte një shembull dorëheqjeje të kryeministrit. Asokohe, Ramush Haradinaj, do të linte postin e tij.

Arsyeja, ishte për shkak se ai u akuzua për krime lufte dhe u desh të paraqitej në Hague.

Një vit më pas, më 1 mars 2006, Bajram Kosumi do të bënte të njejtën gjë. Por, në rrethana të tjera. Ai pati deklaruar asokohe se dëshironte t’i linte hapësirë për shanse të reja forcave të tjera politike në Kosovë, për të vijuar proceset në të cilat vendi ndodhej.

Bajram Kosumi në vitin 2006

Në ato vite, Kosova ishte në etapat e fundit të shpalljes së pavarësisë.

Viti 2009 më pas, për rajonin, do të shihte dorëheqjen e kryeministrit kroat, Ivo Sanader. Mbi të do të rëndonin akuza korrupsioni. Po ashtu, kriza globale goditi edhe Kroacinë, e cila po përpiqej të futej në Bashkimin Evropian.

Ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader

Fatmir Sejdiu do të dorëhiqej nga Presidenca e Kosovës në shtator të 2010-ës, pasi shkeli Kushtetuën duke mbajtur njëkohësisht edhe postin e kreut të partisë ndërkohë.

Më pas, në 2011-ën, kryeministri grek, George Papandreou, do të jepte dorëheqje për shkak të krizës së madhe evropiane. Një Qeveri gjithëpërfshirëse u pa si e udhës atëherë.

Ish-kryeministri grek, George Papandreou

Në vitin 2019, sërish, Ramush Haradinaj u dorëhoq nga Kryeministria për t’u përballur me akuzat në Hague. Një vit më pas, presidenti kosovar, Hashim Thaçi, do të bëntë të njejtën gjë, për të njejtën arsye.

Pra, dorëheqjet, asnjëherë nuk do të vinin për shkak të humbjes në zgjedhjet lokale.

Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj
Evropianist

Çështje të tilla dorëheqjesh, si ajo e Zaev-it, janë parë në Evropë ndërkohë, në nivele të ndryshme, por të ngjashme.

Ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema

Ne vitin 2000, si asnjëherë më parë, kryeministri italian, Massimo D’Alema, do të jepte dorëheqien pas humbjes në zgjedhjet rajonale në Itali.

Në vitin 2014, kryeministri francez, Jean-Marc Ayrault, dha dorëheqjen nga posti i tij. Arsyeja ishte pikërisht humbja e zgjedhjeve lokale në Francë.

Ish-kryeministri francez, Jean-Marc Ayrault

Në po të njëjtin vit, Alex Salmond, kryeministër skocez asokohe, dha dorëheqjen. Arsyeja e tij, ishte humbja e një referendumi pavarësie nga Britani e Madhe.

Ai italian, Matteo Renzi, në vitin 2016, do të ndërmerrte aktin idektik, pas humbjes së një referendumi kushtetues në Itali.

Ish-kryeministri italian, Matteo Renzi

Po në 2016, kryeministri anglez, David Cameron, do të jepte dorëheqien pas votës së anglezëve në referendumin për të dalë nga Bashkimi Evropian.

Ish-kryeministri anglez, David Cameron

Këto raste janë më të ngjashmet me atë të Zaev-it, i cili vendosi të mbante fjalën e dhënë më 26 tetor dhe të largohej nga posti.

Dorëheqja e tillë – në Ballkan së paku – shënon një precedent të parë për kastën politike.

Në një pjesë të mirë të rajonit, figurat udhëheqëse kanë qenë të njëjta prej vitesh.

Fjala bie, Mali i Zi, në pjesën më të madhe të 30 vjetëve, ka parë si kryeministër Milo Gjukanoviç. Sot, ky i fundit, edhe pse jo kryeministër, është president i vendit të vogël ballkanas.

Në Serbi, emra si Alexander Vuçiç, Ivica Daçiç apo Tomislav Nikoliç, kanë udhëhequr prej vitesh.

Nga e djathta në të majtë, Alexander Vuçiç, Ivica Daçiç dhe Tomislav Nikoliç

Në Shqipëri, vetëm dy emra kanë marrë udhëheqjen e shtetit në 16 vjetët e fundit.

Zaev, në Kryeministrinë maqedonase, erdhi në maj 2017. Kjo, pas pesë vjetëve në opozitë kundër Nikola Gruevskit.

Ish-kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski

Ky i fundit e mbajti pushtetin në Shkup për 10 vjet, përpara se ta dorëzonte dhe të ikte nga vendi, pas dënimit prej dy vjetësh që mori mbi akuzat e korrupsionit.

Ndaj, Zaev-it, në këtë hap të tij të mbrëmjes së djeshme, nuk është dukur si politikanët e tjerë rajonalë.

Nëse rrugëtimin politik gjithsesi do ta vijojë – dhe si – duhet pritur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore