Shqipëria

Këshilli i Ministrave miraton dy vendime në kuadër të Open Balkan


Këshilli i Ministrave në Shqipëri është mbledhur pasditen e 17 nëntorit ku dhe ka miratuar dy vendime në lidhje me lëvizjen në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka miratuar marrëveshjen e skemave për identifikim elektronik të shtetasve nga ky rajon.

Po ashtu, ky Këshill ka miratuar marrëveshjen për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

Kjo marrëveshje është në fuqi mes Shqipërisë dhe Kosovës, por me vendimin e ri, janë përfshirë edhe Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Kjo në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur.

Marrëveshjet e Open Balkan

Më 29 korrik, tre liderët – asokohe me kryeministrin Zaev – u takuan në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku e cilësuan nismën e tyre si Open Balkan (Ballkani i Hapur).

Ata firmosën disa marrëveshje. Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve.

Pritet që janari i vitit 2023 të faktojë marrëveshjen dhe të lejojë lëvizjen e lirë.

Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”.

Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor.

Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me agjendën evropiane.

Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet.

Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore