Shqipëria

Kryefjala e takimit të shtatë mes dy qeverive – konkretizimi i marrëveshjeve


Në qytetin e Elbasanit, e premtja e 26 nëntorit u identifikua me takimin e shtatë mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës.

Mbledhja e përbashkët përmbushi, në fakt, premisat e takimit të fundit mes dy palëve.

Kishte ardhur momenti për konkretizimin e marrëveshjeve, të cilat nuk duhet të mbeteshin veç nëpër letra – çka u përsërit njëzëri nga dy përfaqësitë.

Sesioni plenar i mbledhjes së dy Qeverive, do të niste pak më vonë orarit të përcaktuar, porse menjëherë hyri në vrullin e bisedimeve të ndërsjella.

Duke qenë i “zoti i shtëpisë”, fjala hapëse i takoi kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili u shpreh i lumtur që kjo mbledhje – ndryshe nga të tjerat – ishte konkrete.

Çast nga çelja e sesionit plenar të mbledhjes mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë.

Si rrjedhojë, “do të ketë marrëveshje konkrete”, ravijëzoi numri një i qeverisë shqiptare.

Megjithatë, Rama e vuri theksin te një sfidë që mbetet, sipas tij, e përbashkët – rritja e zbatueshmërisë së marrëveshjeve.

Nga ana tjetër e tryezës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbi këtë premisë parashtroi faktin se duhet unifikim mes Shqipërisë e Kosovës, njësim nga i cili palët do të dalin më të forta.

“Bashkëveprimi ynë është strategjik. Marrëveshjet duhen shoqëruar me cilësinë e tyre të zbatimit. Ato janë me rëndësi ekonomike dhe historike”, tha numri një i qeverisë së Kosovës.

Foto gjatë sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive Shqipëri-Kosovë, në ambientet e Fish City, Elbasan.
Hekurudha Durrës-Prishtinë

Rama e konsideroi një ëndërr të kahershme projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri shtoi se po nënshkruhet një pikë akordësimi, për të filluar punimet për planin.

Një pikë shumë me rëndësi, për Kurtin, ishte ajo e ngritjes së hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Për kryeministrin e Kosovës, kjo linjë nuk është thjesht lehtësuese e lëvizjes dhe ekonomisë.

Çast nga konferenca e përbashkët për shtyp mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ajo ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve të portit kryesor në Shqipëri. Po ashtu, duhet parë edhe si zgjedhje gjeopolitike me rëndësi, për të fuqizuar pozitat e Shqipërisë në rajon.

“Ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, plotësimi i një ëndrre dhe një pune me rëndësi për bashkimin ekonomik të dy vendeve. Porti i Durrësit do të lidhet me Prishtinën dhe, përmes saj, ky port do të ketë komunikim të drejtpërdrejtë me korridorin 10”.

Kështu e cilësoi ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, marrëveshjen mes vendeve.

Nga ana tjetër, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku, theksoi se ky memorandum i ndërtimit të hekurudhës, është edhe një ndër hapat më konkretë të dy qeverive.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku.
Marrëveshje “konkrete”

Pas përfundimit të pjesës së parë të takimit mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, u bë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve mes palëve.

Fillimisht ishin dy kryeministrat që firmosën marrëveshjen mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.

Ky Sekretariat do të jetë ndjekës në detaje i marrëveshjeve të nënshkruara dhe do të raportojë në zyrat e dy kryeministrave.

Çast nga sesioni plenar i mbledhjes mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë.

Rama theksoi se ky Sekretariat do të ndjekë edhe angazhimin e të dyja qeverive.

“Sekretariati koordinues bashkëpunon ngushtësisht dhe koordinon aktivitetin institucional të të dyja palëve jo vetëm në nivelin ministror, por edhe në nivelin e organizatave apo shoqatave që kanë ndërveprim të angazhuar mes dy vendeve”, u shpreh kryeministri.

Më pas u firmosën marrëveshjet mes ministrave të Brendshëm për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm, për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit dhe për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).

Hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).
Deklarata për shtyp

Në fjalën e tij para medias, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi fillimisht pas përfundimit të takimit mes qeverive dhe nënshkrimit të marrëveshjeve – se duhen eliminuar procedurat e dyfishta në të gjithë sektorët.

Numri një i qeverisë shqiptare u ndal më pas te bashkëpunimi doganor, që ishte një kërkesë legjitime e kahmotshme e investuesve.

“Vendet tona do të kenë përfitimin e tyre, nga kjo marrëveshje”, cilësoi Rama gjatë fjalës së tij.

Lidhur me eliminimin e procedurave, kryeministri përmendi krijimin e një manuali të përbashkët të ri të procedurave standarde në dogana.

Çast nga konferenca e përbashkët për shtyp mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Regjim i ri doganor në kufi do të vendoset, duke patur parasysh domosdoshmërinë nga krijimi i radhëve”, tha më tej Rama.

Kryeministri shtoi se ministrat ndërkaq po punojnë për një sistem alternativ të monitorimit me kamera për të shmangur kontrollet fizike.

Objektivi i përbashkët, sipas Ramës, mbetet edhe shtrirja e rrjetit të shërbimeve të përbashkëta konsullore – shembulli i Milanos dhe Mynihut.

Inaugurimi i Konsullatës së përbashkët në Mynih
Takim pa “palë të treta”

“Edhe në takimin në Prishtinë, edhe në takimin e sotëm dëshmuam që Kosova e Shqipëria diskutojnë, planifikojnë edhe pa përmendur fqinjin verior të Kosovës”.

Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij gjatë konferencës së përbashkët.

Përgjigjja e Kurtit erdhi pasi u pyet nga gazetarët mbi marrëdhënien e dy shteteve në raport me Serbinë, pasi Shqipëria është pjesë e nismës Open Balkan.

Në lidhje me nismën “Open Balkan”, Rama shtoi se asgjë nuk ka ndryshuar nga deklarata që ai ka bërë gjatë Samitit të Beogradit.

Foto e dy përfaqësive Shqipëri-Kosovë

Kryeministri shqiptar solli shembullin e flamurit kuq e zi dhe simbolikën e shqiponjës.

“Njëra kokë sheh nga njëra anë – një kokë në anën tjetër, por të dyja i mban drejt një trup i vetëm”, përshkroi Rama qasjet e ndryshme me homologun Kurti.

“Bashkimi Kombëtar”

“Të thuash se jemi të lumtur se jemi një komb i ndarë, do të ishte marrëzi”, tha ndër të tjera Kurti.

Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, në politikën e sotme, të flasësh për bashkim kombëtar, është nacionalizëm.

Nga ana tjetër, të flasësh për integrim në bashkësinë e madhe të Bashkimit Evropian, është diplomaci.

Sipas Kurtit, kur flitet për Shqipërinë në Kosovë, ka një ndrydhje të ndjenjave. Kjo, si pasojë e një traume pas ndryshimit të simboleve – për të cilën nuk u lejua një debat.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Mbi këtë premisë, ai parashtroi faktin se duhet unifikim.

Ndërsa kryeministri Rama, referuar Bashkimit Kombëtar, u përgjigj se do të ndodhë një ditë – por nuk mund të caktojë se kur apo si do të bëhet.

“Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, unë do bëja një shkelje të ligjit për fshehtësinë e votës, do votoja hapur pro”, deklaroi numri një i qeverisë shqiptare.

Në përgjigjen e tij referuar kësaj hipoteze, kryeministri shtoi se “për ata që do ta marrin këtë deklaratë dhe do përmendin Shqipërinë e madhe – fallxhorët nuk gjykohen”.

Takimi me bizneset

Pas konferencës së përbashkët, vëmendja u përqendrua te përfaqësuesit e bizneseve.

Në një bashkëbisedim me këto të fundit, kryeministri Rama u shpreh se “ishte dëshira e përbashkët e imja dhe homologut për të pasur këtë tryezë që duam ta kthejmë në traditë”.

“Panorama aktuale është pozitive, pasi në këto vite ka një trend rritës në shkëmbimet tregtare, por besojmë se potenciali është më i madh”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri shqiptar theksoi se është detyra e të dyja qeverive që të lehtësojnë shkëmbimet tregtare.

“Është një punë e nisur prej vitesh, por tanimë është një plan veprimi i përbashkët”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti bëri një përmbledhje të statistikave kryesore të import – eksporteve ndër vite mes dy shteteve.

Sipas tij, Kosova ka një deficit të lartë tregtar dhe për këtë në programin e saj Qeverisës, ka një pikë për mbështetjen e targetuar të bizneseve.

“Ekonomia jonë është e ndikuar nga tregtia e jashtme dhe Shqipëria është më rëndësi për ne”, tha Kurti.

Dy qeveritë Shqipëri-Kosovë
Historiku i mbledhjeve

Në qytetin e Prizrenit do të mbahej mbledhja e parë e dy Qeverive.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me homologun e tij të asaj kohe, Hashim Thaçin, do të firmosnin “deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.

Kjo marrëveshje kishte në fokus fushën e transportit e infrastrukturën dhe bashkëpunimin tregtar.

Kryeministrat u pajtuan atëherë edhe për krijimin e një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës.

Kryeministri i Kosovë, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Mbledhja e dytë do të mbahej në vitin 2015, në qytetin e Tiranës.

Kryeministri i Kosovës në atë kohë, Isa Mustafa, do të pritej nga homologu i tij Rama, në qytetin e Tiranës, ku u firmosën 11 marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

Vëmendjen e takimit do ta merrte tryeza e rrumbullakët, e cila do të vishej me simbolet e Bashkimit Evropian, ku në qendër të saj do të ishte shqiponja e zezë.

Në vitin 2016, nga qyteti i Prishtinës, Qeveria Rama do të pritej nga Mustafa.

Në atë mbledhje u evidentuan arritjet e deriatëhershme.

Gjithashtu u diskutua për gjetjen e mekanizmave të rinj për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, lehtësimin e procedurave dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Më pas, në 2017-ën, nga qyteti i Korçës, u mbajt mbledhja e katërt e përbashkët e Qeverive, me moton “Një Tokë-Një popull-Një ëndërr”.

Çast nga mbledhja e 4-t mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë.

Këtë herë, Qeverinë e Kosovës e drejtonte Ramush Haradinaj.

Ndërkohë në Pejë në vitin 2018, do të zhvillohej mbledhja e 5-të e përbashkët ndërmjet qeverive.

Punimet e kësaj mbledhjeje u përmbyllën me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve e protokolleve të bashkëpunimit dypalësh.

Pas takimit qeveritar në Pejë, mbledhja e dy Qeverive, në 2019-ën u mbajt në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, por nuk morën pjesë kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj.

Zëvendëskryeministrat e atëhershëm, Erjon Braçe dhe Fatmir Limaj, drejtuan mbledhjen koordinuese.

Në vitin 2020, mbledhja do të zhvillohej në qytetin e Tiranës.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore