Shqipëria

Vuçiç para ardhjes në Tiranë: Takimi do të sjellë përfitime, lidhje më të forta se e kaluara


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nëpërmjet një deklaratë për mediat ka reaguar mbi takimin që do të zhvillohet më 20 dhjetor në Tiranë, në kuadër të nismës Ballkani i Hapur.

Sipas tij, ky takim do të sjellë shumë përfitime dhe se kërkon pjesëmarrjen e shteteve të tjera.

Duke përsëritur kështu edhe atë çka ishte e shkruar në letrën e hapur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe vetë ai.

Tre liderët nismëtar të ‘Open Balkan’ kanë ftuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Hercegovinën që të bëhen pjesë.

Ata i janë drejtuar edhe Bashkimit Evropian duke i kërkuar që ta mbështesë plotësisht Ballkanin e hapur dhe të nxisë fqinjët e tjerë që ta shndërrojnë gjithëpërfshirjen e nismës nga një nevojë në një vepër.

“Është koha që të gjithë kombet dhe njerëzit e rajonit të bashkohen për një të ardhme të përbashkët më të mirë”, shkruhet në letrën e hapur.

Ndërkohë Vuçiç ka bërë me dije se me takimin në Tiranë do të lehtësohen jo vetëm lëvizjet për qytetarët , por edhe për biznesmenët duke ndihmuar në lëvizjen e mallrave.

“Ne do të lidhim popujt tanë që të kenë një marrëdhënie shumë më të ngushtë nga ajo e kaluara”, ka deklaruar presidenti serb.

Marrëveshjet e Open Balkan

Më 29 korrik, tre liderët – asokohe me kryeministrin Zaev – u takuan në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku e cilësuan nismën e tyre si Open Balkan (Ballkani i Hapur).

Ata firmosën disa marrëveshje. Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve.

Pritet që janari i vitit 2023 të faktojë marrëveshjen dhe të lejojë lëvizjen e lirë.

Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”.

Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor.

Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me agjendën evropiane.

Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet.

Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore