Shqipëria

Open Balkan, zbardhet agjenda e vizitës së Vuçiç dhe Zaev në Shqipëri


Të hënën e 20 dhjetorit është zbardhur agjenda që do të ndjekin kreu i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të iniciativës “Open Balkan”, e cila kësaj radhe do të ndalet në Shqipëri.

Gjatë kësaj dite priten mbërritja e krerëve të dy shteteve të rajonit në 18:30 në qytetin e Elbasanit. Në orën 19:00 do të mbahet një darkë pune me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Përveç Ramës pjesë nga qeveria shqiptare do të jetë edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.

Nga qeveria serbe do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministri i Agrokulturës, Branislav Nedimović.

Ndërsa nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, do të jenë zëvendëskryeministër dhe ministri i Financave, Dimitar Kovacevski dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të ujërave, Trajan Dimkovski.

Po ashtu të pranishëm do të jenë dhe kryetarët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht e Shqipërisë Ines Muçostepa, i Maqedonisë së Veriut, Antoni Peshev dhe i Serbisë Marko Cadez.

Përveç tyre, të pranishëm do të jenë Këshilltari i Lartë në Këshillin Atlantik, Jim O’Brien, dhe zëvendëskryetari i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, Alex Soros.

Dita e Martë 

Të martën e 21 dhjetorit do të mbledhja mes tre krerëve, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, e cila do të fillojë në orën 09:00.

Gjatë mbledhjes i pari që do të mbajë fjalën do të jetë numri një i qeverisë shqiptare, i cili do të ndiqet nga presidenti serb dhe në fund kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Pas tyre fjalën do e mbajë dhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Në 11:30 do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve në kuadër të nismës për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet tre vendeve.

Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të tre vendeve për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimore për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.

Pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – sigurim dhe siguri (AEOS).

Kjo e fundit do të nënshkruhet edhe ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Pas nënshkrimit të tyre pritet mbajtja e Forumit Rajonal për Bujqësi dhe Bashkëpunim Rajonal në orën 12:00

Ndërsa në orën 13:00 do të ketë një konferencë për shtyp nga krerët e lartë.

NJë ftesë e hapur nga tre liderët nismëtar të ‘Open Balkan’ ishte dhe për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Hercegovinën që të bëhen pjesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore