Shqipëria

Open Balkan: Ministrat dakordësohen për agjendën e Samitit të Tiranës


Përmes një njoftimi të publikuar të dielën e 14 nëntorit, agjencia maqedonase e medias ka zbuluar se ministrat e tre shteteve pjesëmarrës në nismën Open Balkan, janë dakordësuar gjatë fundjavës për agjendën e Samitit të Tiranës.

Ky Samit është parashikuar të zhvillohet në fund të dhjetorit, por datat zyrtare ende nuk janë vendosur.

Në foto shfaqet ministrja shqiptare e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca duke nënshkruar konkluzionet e takimit me homologët e tyre.

Samiti i Beogradit

Nga konferenca e përbashkët për shtyp në kryeqytetin e Serbisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, fillimisht deklaroi se i gjithë fokusi i takimeve ishte te njerëzit, kompanitë, distributorët, fermerët, akademikët, studentët, të cilët janë fituesit realë të Open Balkan.

Referuar takimit të 4 nëntorit, kryeministri shqiptar ravijëzoi se bisedimet që ngrihen në nivel krerësh dhe udhëheqësish duhet të ishin të prekshme në nivel praktik.

“Jemi angazhuar që nga janari në kufijtë e vendeve të fillojë një relaksim shumë i ndjeshëm për kompanitë, distributorët dhe fermerët”, nënvizoi ai.

Kryeministri shqiptar në fjalën e tij tha se ky ishte thelbi i kësaj nisme, “zgjerimi i ekonomive tona, tregjeve tona”.

Deklarata e Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të deklaronte fillimisht nga Beogradi se Samiti i radhës i “Open Balkan” do të zhvillohet në fund të dhjetorit në Tiranë.

“Pas Krishtlindjeve, do të kemi një samit në Tiranë, por këtë do ta vendosë Rama. Aty do të nënshkruajmë memorandumin për lejet e punës. Për t’i mbajtur qytetarët në rajon, ata duhet të lejohen të punojnë lirshëm kudo në rajon. Duhet të biem dakord edhe për qarkullimin e të huajve”, do të theksonte Vuçiç gjatë fjalës së tij.

Marrëveshjet e Open Balkan

Më 29 korrik, tre liderët – asokohe me kryeministrin Zaev – u takuan në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku e cilësuan nismën e tyre si Open Balkan (Ballkani i Hapur).

Ata firmosën disa marrëveshje. Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve.

Pritet që janari i vitit 2023 të faktojë marrëveshjen dhe të lejojë lëvizjen e lirë.

Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”.

Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor.

Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me agjendën evropiane.

Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet.

Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore