Lajme

Hetuesit polakë mund të shkojnë në Ukrainë si pjesë e hetimit të raketës


Kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha se nëse është e nevojshme, hetuesit polakë të cilët janë përfshirë në hetimin e incidentit me rënien e raketës në Przewodów do të shkojnë në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “RMF24”.

“Sapo të jetë e nevojshme, hetuesit polakë do të shkojnë në anën ukrainase”, deklaroi Morawiecki.

Ai siguroi se qeveria synon të zbardhë sa më parë këtë incident.

“Ne marrim mbështetje edhe nga aleatët tanë amerikanë. Sot u takova me delegacionin amerikan, i cili gjithashtu më prezantoi një sekuencë të caktuar ngjarjesh që me shumë gjasa kanë ndodhur në atë kohë”, shtoi kreu i qeverisë.

Kryeministri polak vuri në dukje se është e nevojshme të lihet një vend për hetuesit, ekspertët dhe specialistët.

“Ne kemi specialistë të tillë, specialistë të shkëlqyer, por jo vetëm që lejuam, por ftuam edhe aleatët tanë, specialistët amerikanë dhe të tjerë që ta kontrollojnë këtë incident”, shpjegoi ai.

Të premten, kreu i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, njoftoi se ekspertët ukrainas po punojnë tashmë në vendin e rënies së raketës në Poloni.

“Ne duam të bashkëpunojmë sa më ngushtë që të jetë e mundur, duke përfshirë edhe palën ukrainase, sepse të mos harrojmë se sot ata po luftojnë për paqen, për sigurinë, për paqen në Evropë, përfshirë Poloninë”, theksoi Morawiecki.

Presidenti polak Andrzej Duda tha më 16 nëntor se shpërthimet në Poloninë lindore ishin një aksident, dhe Varshava nuk e konsideron incidentin me raketën një sulm ndaj vendit, pasi raketa që ra, sipas tij, me siguri ishte qëlluar nga forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase.

Ai gjithashtu shtoi se i kuptonte deklaratat e kolegut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskyi, i cili foli për mospërfshirjen e Ukrainës në rënien e një rakete në fshatin Przewodów të martën, si pasojë e së cilës humbën jetën dy persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore