Lajme

Heqja e barrikadave vetëm një metaforë, mes Kosovës dhe Serbisë ka barrikada gjigande – thotë profesori amerikan


Edward Joseph

Për ligjëruesin në Universitetin “John Hopkins” dhe ish-zëvendës shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph, heqja e barrikadave nuk duhet kuptuar sikur tensionet në Veri të Kosovës janë kapërcyer.

Serbët pas lirimit të ish-policit nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, nisën çbllokimin gradual të rrugëve, megjithatë për njohësin e dinamikave të Ballkanit Perëndimor, Joseph, një gjë e tillë nuk do të thotë se tashmë në Veri të Kosovës do të dominojë stabiliteti.

“Mund të presim një qetësim të caktuar për një kohë, derisa Vuçiç të vendos se i duhet sërish një krizë në Kosovë. Ai duan të ruaj levën që ka mbi Kosovën, sepse kjo ruan pushtetin e tij”, ka deklaruar profesori amerikan për Radio Evropën e Lirë.

Barrikadat të cilat po hiqen, sipas Joseph, janë vetëm një metaforë, pasi ai beson se mes Kosovës dhe Serbisë ka barrikada gjigande.

“Barrikada ka edhe në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë këto barrikada shërbejnë si urë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë”, argumenton më tej ai.

Megjithatë, Joseph beson se heqja e këtyre barrikadave është e mundur vetëm atëherë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja, nuk bëhen subjekt i manipulimit të Vuçiç’it.

“Këto barrikada po hiqen në atë mënyrë që ato të mund të vendosen përsëri shumë lehtë. Pra, kjo nuk është një zgjidhje e mirë. Është një tjetër dëshmi se si Aleksandar Vuçiç manipulon SHBA-në dhe BE-në duke përdorur levën e pushtetit që Serbia ka mbi Kosovën”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore