Lajme

Haxhiu për dënimin me vetëm 8 muaj të dhunuesit në Pejë – “Jam shumë e shqetësuar”


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë në Republikën e Kosovës, Albulena Haxhiu është shprehur e shqetësuar me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë e cila shqiptoi dënimin me vetëm “8 muaj e 8 ditë burgim” ndaj dhunuesit të vajzës së mitur 15 vjeçare.

Haxhiu përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook shkroi se “Sapo përfundova fjalën në konferencën që i dedikohej viktimave të krimit, u njoftova me lajmin që dhunuesi seksual ndaj vajzës 15 vjeçare qenka dënuar me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim, pa asnjë rrethanë rënduese dhe fatkeqësisht shumë rrethana lehtësuese”.

Haxhiu u shpreh se këto vendime janë absurde dhe janë vetëm nxitëse për dhunuesit për të kryerë përsëri këso krimesh.

“Jam shumë e shqetësuar në raport me këto vendime absurde të padrejta dhe që motivojnë dhunuesit dhe që dhunojnë për së dyti herë viktimat!”, shkroi Albulena Haxhiu.

Gjykata Themelore në Pejë, ka vendosur të dënojë me 8 muaj e 8 ditë burgim një person i cili kreu veprën penale “dhunim” ndaj një vajze 15 vjeçare.

Para dy muajsh, gjyqtarja Florie Zatriqi, ka marrë këtë vendim, ndonëse sipas ligjit, dënimi i paraparë për këto raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Gjatë procesit gjyqësorë në këtë rast, raportohet se gjyqtarja nuk ka arritur të gjejë as një rrethanë rënduese ndaj kryesit të veprës, ndërkaq ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndaj tij. Ndër to edhe “rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime”.

Raportohet se rasti, për te cilin u shqiptua ky dënim, ka ndodhur në janar të vitit 2012.

Aktakuza përshkruan se e mitura 15 vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur “edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P.K së bashku me një person të mitur”, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.

Sipas prokurorisë pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15 vjeçaren.

E mitura kishte arritur të ikë nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.

Për këto veprime, në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P.K e kishte pranuar fajësinë.

Në fund të vendimit gjyqtarja e kishte arsyetuar dënimin e ulët të shqiptuar ndaj P.K duke u bazuar të rrethanat lehtësuese se ai kishte pasur sjellje korrekte, kishte shprehur keqardhje, e kishte pranuar fajësinë, gjatë aktit viktima nuk kishte pësuar lëndime, nuk është i dënuar më parë, ndaj tij nuk ka ndonjë procedurë tjetër, ka qenë i moshës 21 vjeçare, ka qenë i papjekur, ka fëmijë dhe se nga koha kur është kryer vepra penale tashmë kanë kaluar gati 10 vite.

Për më tepër edhe më të rëndë këtë rast e bënë fakti se tashmë i dënuari P.K nuk do të dërgohet asnjë ditë në burg pasi këtë kohë i akuzuari e ka kryer në paraburgimu

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore