Lajme

Kosovë: Dhunoi një vajzë 15 vjeçare dhe e pranoi fajësinë, gjykata e dënon me 8 muaj e 8 ditë burgim


Objekti i Gjykatës Themelore në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë, ka vendosur të dënoj me 8 muaj e 8 ditë burgim një person i cili kreu veprën penale “dhunim” ndaj një vajze 15 vjeçare.

Para dy muajsh, gjyqtarja Florie Zatriqi, ka marrë këtë vendim, ndonëse sipas ligjit, dënimi i paraparë për këto raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Gjatë procesit gjyqësorë në këtë rast, raportohet se gjyqtarja nuk ka arritur të gjejë as një rrethanë rënduese ndaj kryesit të veprës, ndërkaq ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndaj tij. Ndër to edhe “rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime”.

Raportohet se rasti, për te cilin u shqiptua ky dënim, ka ndodhur në janar të vitit 2012.

Aktakuza përshkruan se e mitura 15 vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur “edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P.K së bashku me një person të mitur”, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.

Sipas prokurorisë pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15 vjeçaren.

E mitura kishte arritur të ikë nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.

Për këto veprime, në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P.K e kishte pranuar fajësinë.

Në fund të vendimit gjyqtarja e kishte arsyetuar dënimin e ulët të shqiptuar ndaj P.K duke u bazuar të rrethanat lehtësuese se ai kishte pasur sjellje korrekte, kishte shprehur keqardhje, e kishte pranuar fajësinë, gjatë aktit viktima nuk kishte pësuar lëndime, nuk është i dënuar më parë, ndaj tij nuk ka ndonjë procedurë tjetër, ka qenë i moshës 21 vjeçare, ka qenë i papjekur, ka fëmijë dhe se nga koha kur është kryer vepra penale tashmë kanë kaluar gati 10 vite.

Për më tepër edhe më të rëndë këtë rast e bënë fakti se tashmë i dënuari P.K nuk do të dërgohet asnjë ditë në burg pasi këtë kohë i akuzuari e ka kryer në paraburgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore