Lajme

Haradinaj: Roli i Shqipërisë në anëtarësimin e Kosovës në NATO është tejet i rëndësishëm


Ramush Haradinaj dhe Igli Hasani

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur të martën në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë.

Në një postim në platformën sociale, Facebook, Haradinaj pas takimit ka njoftuar se nga kryediplomati shqiptar ka kërkuar mbështetjen e qeverisë shqiptare në raport me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare veçanërisht në NATO.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim kryesor i yni si shtet, si garancë për më shumë stabilitet në rajon e botë. Krahas mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë në krye me SHBA-të, roli i Shqipërisë është tejet i rëndësishëm në arritjen e këtij objektivi, por edhe në proceset e tjera euro-integruese të Kosovës”.

Ndër të tjera Haradinaj ka njoftuar se me Hasanin ka diskutuar për angazhimin e qeverisë shqiptare në mbështetjen e Kosovës në shumë çështje të rëndësishme.

“Projekti i hekurudhës i iniciuar në qeverinë tonë, që tani po bëhet realitet ndryshon epokën e shqiptarëve”.

Hasani gjatë qëndrimit në Kosovë përveç homologes së tij, Donika Gërvalla, ka takuar presidenten, Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, Partinë Demokratike të Kosovës si dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore