Lajme

Haradinaj për inaugurimin e Parkut të Erës: Meritat e Qeverisë Kurti janë zero


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Të premten e 11 marsit është inauguruar Parku i Erës në të cilin ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Mirëpo, sipas kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, meritat e Qeverisë Kurti për Parkun e Erës në Mitrovicë janë zero.

“Kryetari i Qeverisë sot paska marrë pjesë në inaugurimin e Parkut të Erës në Mitrovicë, një investim i jashtëzakonshëm i Kosovës me vendet mike, që është një lajm fantastik, sado që meritat e kësaj qeverie për këtë projekt janë zero”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka pohuar se Qeveria ka pasur mundësinë që të ketë edhe projekte të tjera të suksesshme.

“Sikur ky kryeministër e kjo qeveri të mos e kishin kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global, apo projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, sot do të mund t’u gëzoheshim edhe dy sukseseve të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, e nuk do t’i vuanim pasojat e mungesës së energjisë e çmimeve stratosferike”.

Ndërkaq, Haradinaj shton se nga suksese si ky ekzekutivi duhet të marrë leksione.

“Qeveria duhet të marrë shembull nga Parku i Erës në Mitrovicë, se si nisen e kryhen punët e interesit strategjik për vendin, e pse jo t’i thoshte disa fjalë të mira edhe për Qeverinë Haradinaj, që kishte vizion të qartë se si zgjidhej situata elektro-energjetike në vend”.

Inaugurohet parku i erës “Selac Windpark”.

“Sidoqoftë ky është sukses i Kosovës, e cila ka nevojë urgjente që t’i shtyjë edhe projektet tjera në fushën e energjisë, që sot janë ndalur nga Kryeministri Kurti”.

Ndryshe, kreu i Qeverisë, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë investim strategjik dhe veçanërisht përkushtimin e ministres gjermane Baerbock për zhvillimin e Kosovës.

“Agjenda e Gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë sonë, jo vetëm sepse ajo përfshinë një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por veçanërisht sepse ne kemi nevojë të heqim gradualisht qymyrin duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike”, tha ai.

Sipas Kurtit, Qeveria ka marrë të gjitha hapat e nevojshëm ndaj krizës energjetike.

“Qeveria jonë i është përgjigjur kësaj krize në një afat të shkurtër, duke bërë subvencionim për konsum të energjisë që i atribuohet familjeve. Megjithatë, është e qartë se në afat të gjatë zgjidhja e vetme e qëndrueshme është investimi në burimet e ripërtëritshme”.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 51 të mbajtur të premten e 24 dhjetorit, kishte ndërmarr një vendim lidhur me shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh.

Ky vendim nga ana e Qeverisë erdhi pasi Kosovën e ka përfshirë kriza energjetike.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti i Kuvendit të Kosovës, menjëherë pas vendimit të Qeverisë, kishte mbajtur një takim në të cilin ka shqyrtuar propozim-vendimin për masa emergjente për kufizim të furnizimit me energji elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore