Kosova

Kosovë: Qeveria me vendim për shpalljen e masave emergjente për energjinë – Qytetarët duan rrymë


Ilustrim

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 51 të mbajtur të premten e 24 dhjetorit, ka ndërmarr një vendim lidhur me shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh.

Ky vendim nga ana e Qeverisë erdhi pasi Kosovën e ka përfshirë kriza energjetike.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti i Kuvendit të Kosovës, menjëherë pas vendimit të Qeverisë, ka mbajtur një takim në të cilin ka shqyrtuar propozim-vendimin për masa emergjente për kufizim të furnizimit me energji elektrike.

Kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala nga PDK, ka bërë të ditur se këtë propozim-vendim e kanë proceduar për në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Shalës, më në fund Qeveria ka filluar të reflektojë, dhe “po orvatet që të kthejë ligjshmërinë e veprimeve të saj në relacion me krizën energjetike të vendit”.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti i Kuvendit të Kosovës

Ai ka thënë se “Fatkeqësisht, të gjitha vendimet, transaksionet dhe importet në këtë periudhë krize, janë kryer në mënyrë të paligjshme”.

“Pas ngritjes së shqetësimit tonë [PDK-së], dhe propozimit që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe emergjente me legjislacionin në fuqi, në fushën e energjisë, Qeveria sonte në orët e vona morri këtë vendim”.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala

Sipas Shalës, ndërmarrja e këtij vendimi “dëshmon atë që ne e kemi ngritur si çështje dhe shqetësim, për paaftësinë e Qeverisë që të përballet me sfidat”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Vendimi i Qeverisë

“Të detyrojë prodhimin e energjisë që do të ndodhë në objekte të saktësuara të prodhimit”.

“Të vendosë detyrime për furnizim me energji për konsumatorë të caktuar, vetëm në pajtim me kriteret e parapërcaktuara dhe objektive të sajuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe të miratuara nga Zyra e rregullatori të Energjisë”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Ndërsa në arsyetim të vendimit, thuhet se Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin, dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

“Vështirësitë në furnizim me energji elektrike janë paraqitur sidomos gjatë muajit dhjetor 2021, për shkak të avarive të shkaktuara në gjeneratorët e termocentralit ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ dhe njëkohësisht rritje të theksuar të konsumit të energjisë elektrike”.

Kosova A

“Duke pasur parasysh se rreth 85% e konsumatorëve në Kosovë janë konsumatorë shtëpiak, kërkesa për energji elektrike është rritur dukshëm si rrjedhojë e uljes së temperaturave”, thuhet në arsyetim.

Dy protesta kundër reduktimit të rrymës

Për të hënën e 27 dhjetorit janë paralajmëruar dy protesta kundër reduktimeve të energjisë elektrike.

Mirëpo, para protestave do të zhvillohet një konferencë për media e cila do të mbahet të shtunën e 25 dhjetorit, ku edhe do të jepen detaje për organizimin.

Organizatorët e protestës kërkojnë nga KEDS-i rrymë 24 orë/7 ditë në javë, shkarkimin e Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli si dhe nacionalizimin e KEDS-it.

Protestë

Ndërsa në një event në rrjetin social Facebook u është bërë ftesë qytetarëve të Kosovës që të bashkohen në protesta, siç i quajnë mbarëkombëtare kundër manipulimeve dhe papërgjegjësisë të vazhdueshme të KEDS-it ndaj qytetarëve të vendit.

“KEDS bashkë me Qeverinë na e kanë kthyer terrin në Kosovë. Gjatë kësaj jave, Qeveria dhe KEDS-i na informuan se do të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike”.

“Sipas njoftimit zyrtar të tyre, reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë”, thuhet në njoftimin e protestës duke lidhur vendimin e Qeverisë së 24 dhjetorit.

Gjithashtu, në paralajmërim të organizatorëve të protestave, thuhet se KEDS-i është duke dështuar që t’i përmbushë obligimet e saj për furnizimin me energji elektrike 24 orë/7 ditë në javë.

“Në anën tjetër, këtë dështim Qeveria është duke na e faturuar neve, duke e subvencionuar KEDS-in me 20 milionë euro nga paraja publike”, thuhet në paralajmërim.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se Kosova është duke blerë rrymë me çmim shumë të lartë, pasi që vendi po ballafaqohet me krizën energjetike.

Ai ka deklaruar gjithashtu se Kosova nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për prodhim të energjisë elektrike, pasi që teknologjia në Koorporatën Energjetike të Kosovës (KEK) është shumë e vjetër, gjë që edhe kapacitetet e saja janë shumë të  limitura.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti tutje ka deklaruar se s’ka pasur mundësi të blihet rrymë më herët për t’u evituar kriza energjetike, pasi sipas tij rryma s’mund të konservohet në frigorifer.

Ne jemi goditur rëndë sepse jemi vend më i varfër se të tjerët sepse shtatë herë më shumë shpenzon energji elektrike amvisëria në raport me industrinë”, ka thënë Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Jemi kritikuar që është dashur të blejmë energji elektrike më herët por nuk ka qenë e mundur sepse s’mund të blesh energji elektrike dhe ta konzervosh në frigorifer”, ka deklaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore