Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të hënën, është shprehur i bindur se Qeveria e Kosovës nuk do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Përgjigja është jo, pra jo”, ka thënë shkurt ai.
Në vlerësimin e tij Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndërkombëtare.
Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që Kosova të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Kushtetuese për shqyrtim – kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kancelari Gjermani, Olaf Scholz, në një bisedë telefonike të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ky i fundit hapa konkretë drejtë themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e Kancelarisë Gjermane.
Ndryshe javën e kaluar Kurti zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.
Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Haziri: Osmani e konfirmoi korrupsionin e thellë qeveritar dhe kapitullimin e shtetit
-
BE-ja e demanton Osmanin: Ne ende insistojmë që hapja e urës të diskutohet në dialog
-
Muslija pranon fajin pas përjashtimit nga Kosova: Kam bërë gabim, marr përgjegjësinë
-
KFOR-i kërkon që vendimi për hapjen e urës së Ibrit të merret në dialog