Kosova

Inaugurohet parku i erës “Selac Windpark” – Kurti: Investim i qëndrueshëm për furnizim me energji


Inaugurohet parku i erës “Selac Windpark”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, kanë marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të parkut të ri të erës “Selac Windpark” në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Komunës së Mitrovicës.

Kreu i Qeverisë, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë investim strategjik dhe veçanërisht përkushtimin e ministres gjermane Baerbock për zhvillimin e Kosovës.

“Agjenda e Gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë sonë, jo vetëm sepse ajo përfshinë një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por veçanërisht sepse ne kemi nevojë të heqim gradualisht qymyrin duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë inaugurimit të parku të erës “Selac Windpark”

Sipas Kurtit, Qeveria ka marrë të gjitha hapat e nevojshëm ndaj krizës energjetike.

“Qeveria jonë i është përgjigjur kësaj krize në një afat të shkurtër, duke bërë subvencionim për konsum të energjisë që i atribuohet familjeve. Megjithatë, është e qartë se në afat të gjatë zgjidhja e vetme e qëndrueshme është investimi në burimet e ripërtëritshme”.

Kryeministri, ka bërë të ditur edhe disa aspekte se pse është i rëndësishëm ky investim.

“I pari është diversifikimi i prodhimit të energjisë pasi prodhimi i energjisë nga ky park me erë do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë. I dyti është ulja e emetimeve të CO2 me 247 mijë tonë dhe i treti është se do të kontribuojë në furnizimin e përgjithshëm me energji që ndihmon në plotësimin e kërkesës sonë në rritje, veçanërisht pas krizës energjetike që pasoi këtë dimër”.

Inaugurohet parku i erës “Selac Windpark”.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 51 të mbajtur të premten e 24 dhjetorit, kishte ndërmarr një vendim lidhur me shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh.

Ky vendim nga ana e Qeverisë erdhi pasi Kosovën e ka përfshirë kriza energjetike.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti i Kuvendit të Kosovës, menjëherë pas vendimit të Qeverisë, kishte mbajtur një takim në të cilin ka shqyrtuar propozim-vendimin për masa emergjente për kufizim të furnizimit me energji elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore