Shqipëria

Hakan Fidan zbret në Tiranë


Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, është ulur në Tiranë pasditen e 28 janarit.

Kështu ka mësuar Albanian Post, ku pritet tashmë një agjendë e ngjeshur 24-orëshe e kryediplomatit turk në Tiranë, në një vizitë me takime të niveleve të larta.

Fillimisht, Fidan, sipas agjendës zyrtare të zbardhur nga Albanian Post, do të vizitojë Xhaminë e Namazgjasë, financuar nga Qeveria turke, ku do të ketë më tej edhe takime me komunitetin e biznesit turk në Shqipëri.

Ekskluzive/ Hakan Fidan viziton Tiranën, Albanian Post zbardh agjendën zyrtare

Më 29 janar më tej, Fidan do të takojë fillimisht kryediplomatin shqiptar, Igli Hasani, me të cilin pritet që në mesditë të ketë edhe një konferencë për shtyp rreth takimit.

Më pas, ai pritet të takojë kryeministrin Edi Rama, në orën 13:00.

Një takim tjetër do të jetë ai me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, në orën 15:00.

Nuk bëhet me dije ende nëse në fund të këtyre dy takimeve do të ketë apo jo konferencë për mediat.

Vetë Fidan largohet nga Shqipëria në orën 16:45.

Sa ka arritur të mësojë Albanian Post rreth natyrës së kësaj vizite, ajo do të përqëndrohet në disa aspekte.

E para, do të jetë ajo e fushës së bashkëpunimit mes vendeve, ku do të ketë një sërë lidhjes marrëveshjesh në fushën e ekonomisë, si edhe marrëveshje dupalëshe në fushën e biznesit, duke përfshirë edhe bizneset turke në vend.

Një tjetër temë diskutimi pritet të jetë edhe hapja zyrtare e Xhamisë së Namazgjasë, projektit madhor turk si donacion për Komunitetin Mysliman Shqiptar.

Kjo vepër infrastrukturore ka mbetur pezull për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme të KMSH-së, por edhe të një kërkese të mëparshme të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka kërkuar qartësisht nga kryeministri Rama që të luftojë organizatën FETO, të cilën shteti turk e ka shpallur organizatë terroriste.

Xhamia e Namazgjasë dhe inaugurimi i saj po ashtu kanë mbetur “peng” i mosmarrëveshjeve mes bashkësisë myslimane në Shqipëri dhe pritet të shihet nëse do të ketë një çlirim për ta inauguruar zyrtarisht atë më në fund.

Sa i takon gjithë spektrit, një delegacion i gjerë e shoqëron diplomatin Fidan, përfshirë edhe kryetarin e Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Ky i fundit, së bashku me kren u Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, pritet të shpallin edhe binjakëzimin e dy qyteteve si edhe do të ketë takime të shumta dhe aktivitete, me pjesëmarrjen e delegacioneve të B40.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore