Sport

Hajdutët hyjnë në shtëpinë e Joao Cancelo-s dhe e sulmojnë fizikisht


Mbrojtësi i Manchester City-t, Joao Cancelo, u sulmua fizikisht mbrëmjen e të enjtes së 30 dhjetorit nga katër hajdutë, teksa ishte në shtëpinë e tij.

27-vjeçari ka pësuar lëndime të dukshme në fytyrë, por ka pohuar se është gjithçka në rregull për të dhe familjen e tij.

Katër hajdutët shkuan në shtëpinë e portugezit për të vjedhur bizhuteri dhe sende me vlerë. Cancelo që ndodhej në shtëpi ka tentuar t’i ndalojë.

Partnerja e Cancelo-s, Daniela dhe vajza e tij e vogël, Alicia, ishin në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Ndërkohë, policia po heton ngjarjen, për të gjetur agresorët.

Portugezi që jeton në periferi të Mançesterit në Angli, postoi një foto në profilin zyrtar të Instagram-it, duke reaguar për ngjarjen dhe treguar shenjat që kishte në fytyrë.

“Fatkeqësisht sot u sulmova nga katër frikacakë të cilët më lënduan dhe u përpoqën të lëndonin familjen time”, tha Cancelo.

“Kur tregoni rezistencë, kjo është ajo që ndodh. Ata arritën të më merrnin të gjitha stolitë dhe të më linin fytyrën në këtë gjendje”.

“Nuk e di se si ka njerëz me kaq poshtër. Gjëja më e rëndësishme për mua është familja ime dhe për fat të mirë janë të gjithë mirë”.

“Dhe pas kaq shumë pengesash në jetën time, kjo është diçka vetëm për t’u kapërcyer. I fortë dhe i fortë, si gjithmonë”, theksoi portugezi.

Cancelo është lojtar i rregullt në formacioin e Pep Guardiola-s. Këtë sezon ai është shndëruar në një nga mbrojtësit më të mirë në botë të krahut.

Të mërkurën e 29 dhjetorit, Cancelo ishte në fushë për 90 minuta të plota në përballjen e fituar nga City 1-0 ndaj Burnley-t.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore