Libra

Habilitimi i “dështuar” i Walter Benjamin-it


Dizertacioni i doktoratës së Walter Benjaminit “Koncepti i Kritikës së Artit në Romantizmin Gjerman” kishte fituar çmimin “summa cum laude” (arritshmëri kulmore, përkundër “magna cum laude” që është arritshmëri e lartë) në Universitetin e Bern-it në Zvicër.

Eseu i tij i famshëm mbi romanin e Goethe-s “Afritë Përzgjedhëse” që ishte synimi i tij për të fituar Habilitacionin për tu bërë profesor universitar, i përgjigjej edhe projeksionit të tij për tu bërë kritiku kryesor i letërsisë gjermane.

“Qëllimi që i kam vënë vetes…është të mbahem si kritiku kryesor i letërsisë gjermane. Problemi është se për më shumë se 50 vjet kritika letrare në Gjermani nuk është konsideruar zhanër serioz. Të krijosh vendin tënd si kritik, do të thotë të rikrijosh atë si zhanër”, shkroi Walter Benjamin.

Hannah Arendt shkruan se Benjamini po bënte një ekzistencë që ai nuk e vërente se nuk ishte e mundur në Gjermani, dhe se shkrimet e tija aforistike, përveq te Nietzschet, Hegelët e Heine-t, nuk janë vlerësuar kurrë, dhe se kritika shihej si një formë përmbysëse e letërisë.

Walter Benjamini si gjermano-hebre më së shumti që mund të arrinte ishte pozitën e Extraordinarius, pozitë kjo e profesorit pa pagesë, ose ajo që quhen Privategleherter, si një koleksionues privat dhe studies i pavarur.

Në 1925 ai u deturua të tërhiqej nga Universiteti i Frankfurtit dhe nga mundësia e tij për një karrierë akademike në të ardhmen. Në ironinë e shpeshtë të fatit, habilitimi i dështuar i Benjamin-it u bë temë bazike në seminaret e Universitetit të Frankfurtit 1932-3 (që ligjërohej nga Theodor W. Adorno).

Studimi i tij mbi veprën e Goethe-s, ishte kryevepër e prozës gjermane, dhe studimi më unik i ndërmarrë ndonjëherë në studimet e Goethe-s dhe kritikës letrare.

Hannah Arendt, konsideron se pikërisht madhështia e kësaj vepre ia bëri Benjaminit të pamundur karrierën e tij akademike.

Siç është e zakonshme në veprat e Benjamin-it, edhe kjo vepër nën lëkurë të saj është e frymëzuar nga polemika, dhe polemika pikërisht i drejtohet veprës së Friedrich Gundolf për Goethe-n.

Kritika e Benjaminit ishte përfundimtare. Dhe se pikërisht kritika definitive ndaj anëtarit më prominent, të qarkut akademik më të rëndësishëm, i’a ktheu letrat mbrapsht Benjaminit.

Benjamini ishte njeri vetmitar dhe i vetmuar. Sulmi ideologjik ndaj një qarku të rëndësishëm akademik, ku vetëm besnikëria ideologjike vlen, dhe e mban bashkë, ishte pikërisht ajo që Benjaminit i dha disfatë akademike, edhe pse ishte fitore letrare.

Walter Benjamin ishte i paklasifikueshëm në një kohë kur gjithçka futej nën katallogë dhe klasifikime. Pikërisht paklasifikueshmëria, e bën atë që atë kohë të kritikës letrare gjermane ta klasifikojmë si Benjaminiane. Pra, Benjamini nuk mund të klasifikohej, por Gjermania e asaj kohe është e klasifikueshme me emrin e tij.

Ai ishte i çuditshëm për shijet akademike të kohës. Ishte mistik, ezoterik, njeri i erës. Paarritshmëria e tij nga bashkëkohësit e tij e bënte atë të padukshëm. Pak kritikë mund të arrijnë nivelin sugjestiv të teksteve të tij, idetë dhe intuitat e tij të menjëhershme, të atypëratyshme.

“Nuk ka dokument civilizimi që në të njëjtën kohë nuk është edhe dokument barbarizmi”, Walter Benjamin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore