Lajme

Grenell pas protestës kundër shtrenjtimit të rrymës: Kurti refuzoi ndihmën e SHBA-së për gazin


Richard Grenell, Ish-emisari special amerikan për dialogun Prishtinë-Beograd

Ish-emisari special amerikan për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell, ka bërë një reagim pas protestës së Partisë Socialdemokrate këtë të shtunë, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Ai përmes një postimi në Twitter, tha se kryeministri Kurti, kishte refuzuar ndihmën e SHBA-së për gazin.

“Qeveria aktuale e Kosovës, në krye me Albin Kurtin ka refuzuar ndihmën e SHBA-së për gaz, gjë që do të ulte në mënyrë dramatike çmimet”.

“Populli duhet të jetë zemëruar”, ka shkruar Grenell.

PSD të shtunën organizoi protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike të propozuar nga ZRRE.

Sipas vëzhguesve të KMDLNj-së, në protestë dolën rreth tre mijë qytetarë.

Me mbishkrimet, ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr” dhe thirrjet “Populli i bashkuar ka për të fituar”, qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj shtrenjtimit të rrymës.

Qytetarët protestues janë nisur nga sheshi Zahir Pajaziti dhe janë grumbulluar para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se propozimi i ZRRE-së duhet të kthehet mbrapa, pasi në të kundërtën do të ketë protesta çdo ditë.

Gjatë protestës të së shtunës për shtrenjtimin e rrymës përpara Qeverisë së Kosovës, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj e ka goditur me shuplakë në fytyrë një pjesëtar të Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore gjatë kësaj protestës që e organizoi PSD në Prishtinë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Policia tutje shton se “disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policor, të cilët përtej hedhjes së gjësendeve të ndryshme, me veprimet dhe sjelljet e tyre u kanë shkaktuar lëndime të lehta tre zyrtarëve policor që ishin në kryerje të detyrës zyrtare”.

Më pas zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka deklaruar se Policia ishte e dhunshme dhe jo profesionale.

“Polici e dhunshme dhe joprofesionale”, ka shkruar Kuçi në llogarinë e saj në Facebook.

Reagim pati edhe nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i cili deklaroi se pavarësisht tentimeve, protesta nuk eskaloi dhe përfundoi e qetë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore