Lajme

Policia: Tre zyrtarë të lënduar në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës


Protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Tre zyrtarë policor janë lënduar të shtunën në protestën e organizuar nga PSD kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhërata e zyrtarëve policor, të cilët përtej hedhjes së gjësendeve të ndryshme, me veprimet dhe sjelljet e tyre u kanë shkaktuar lëndime të lehta tre zyrtarëve policor që ishin në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin për medie të Policisë së Kosovës.

Në këtë njoftim, Policia bën të ditur se si institucion, ka ushtruar kompetencën e saj dhe përgjatë gjithë kohës sa ka zgjatur protesta.

“Policia ka monitoruar situatën me qëllim të ruajtjes së nivelit të sigurisë dhe krijimit të rrethanave të përshtatshme dhe të sigurta për pjesëmarrësit në manifestim si dhe mbarëvajtjen e manifestimit, por pa u cenuar cilësia e jetës për pjesën tjetër qytetare, jo pjesëmarrëse”.

Mes tjerash, policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen përderisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit, duke iniciuar edhe një hetim për rastin “Sulm ndaj personit zyrtar në kryeje të detyrës zyrtare”.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka konfirmuar se në protestën e së shtunës e cila u organizuar nga PSD për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, kanë marrë pjesë rreth 3000 protestues.

“Protesta ishte e qetë për shkak të organizimit të mirë të protestës sikur edhe shkaku i sjelljes së mirë të policëve që mirëmbanin rendin”, thuhet në2 njoftimin e KMDLNj-së.

“Është me rëndësi që asnjëra palë, protestuesit e as policia nuk ndërmorën ndonjë veprim për tensionim të situatës duke kontribuar që protesta të jetë paqësore”.

“Sipas vëzhguesit të KMDLNj- së në këtë protestë , numri i protestuesve ishte 2500 – 3000 protestues”.

Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se nuk janë respektuar masat anti-Covid dhe distanca sociale.

“Sepse nuk përfillej distanca sociale”.

“Në fund të protestës janë hedhur drejt objektit të qeverisë poça elektrike dhe qirinj për të simbolizuar terrin dhe dritë”, thuhet në reagim.

“Jemi mbledhur sot për një kauzë të përbashkët përkundër se i takojmë përkatësive të ndryshme”, ka hapur fjalimin e tij Udhëheqesi i PSD-së, Dardan Molliqaj, në protestën e organizuar nga ta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në shesht e Kryeqytetit të Kosovës.

“Ju me këtë pjesëmarrje tregoni se jeni njerëz të lirë, nuk e delegoni lirinë, kur ajo pengohet, bëhet kauzë siç u bë sot”.

“Kryeministri aktual ka 10 vjet që ka folur për dëmet e privatizimit të distribucionit dhe kurrkush ma shumë se ky kryeministër nuk i ka bërë favor kësaj kompanie private. Brenda kësaj ndërtese është një ‘tuc’, një frikacak. Por, bash që është ‘tuc’ është i rrezikshëm”, deklaroi Molliqaj.

“Ky njeri s’ka as shokë as shoqe, ka veç instrumente që t’i përdorë e veç armiq për me i luftuar. Trimat kanë shok e shoqe, ‘tucat’ kanë instrumente. Problemi është që ky ‘tuci’ është kryeministër”.

“Ky tuc edhe pasi ka vendim të gjykatës nuk po guxon ta faturojë energjinë elektrike në Veri. Ky frikacak që ka ardhur për t’i luftuar oligarkët i ka marrë paret tona dhe i ka paguar kompanitë private. Ju merr atyre që kanë pak dhe ju jep atyre që kanë shumë”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore