Shqipëria

Goditet rrjeti që furnizonte me kokainë BE-në/ Balla: Bashkëpunim i fortë me EUROPOL dhe INTERPOL


Taulant Balla, ministër i Brendshëm, ka reaguar në lidhje me një operacion të përbashkët me autoritetet spanjolle që çoi në goditjen një rrjeti të rëndësishëm të trafikut të drogës nga Ekuadori drejt Bashkimit Evropian.

Balla është shprehur se bashkëpunimi gjithmonë më i fortë dhe suksesshëm me agjencitë e bashkëpunimit policor – EUROPOL dhe INTERPOL – është tregues i qartë i besueshmërisë dhe profesionalizmit të Policisë së Shtetit, cilësi tashmë të njohura dhe të vlerësuara edhe nga këto organizata partnere.

“Sapo kam marrë përgëzimet për kontributin e Policisë së Shtetit dhe të SPAK, në realizimin me sukses te operacionit La Pampa, nën koordinimin e EUROPOL dhe zbatimin nga Policia Kombëtare spanjolle, i cili çoi në goditjen një rrjeti të rëndësishëm të trafikut të drogës nga Ekuadori drejt BE-së”, ka bërë me dije ai.

Sipas Ballës, ky operacion ndërkombëtar shënoi 31 arrestime, në Spanjë dhe Ekuador, sekuestrimin e 25 automjeteve, 10 armë zjarri, pajisje elektronike me vlerë rreth 13 milionë euro dhe afro 3 milionë cash në valuta të ndryshme dhe pasuri të sekuestruara me një vlerë totale prej rreth 48 milionë euro.

“Bashkëpunimi gjithmonë më i fortë dhe suksesshëm me agjencitë e bashkëpunimit policor, EUROPOL dhe INTERPOL, është tregues i qartë i besueshmërisë dhe profesionalizmit të Policisë së Shtetit, cilësi tashmë të njohura dhe të vlerësuara edhe nga këto organizata partnere”, ka shtuar ai.

Sipas EUROPOL, hetimi nisi për një biznesmen italian me orgjinë nga Argjentina me banim në Mabella. Nga hetimet ka rezultuar se trafiku i kokainës nga Kolumbia në Ekuador dhe më pas në BE drejtohej nga një shqiptar, i cili ishte lidhur me biznesmenin italian.

Gjatë hetimit autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri, Belgjikë, Ekuador, Holandë dhe Turqi sekuestruan disa ngarkesa të konsiderueshme kokaine në total 3.2 ton.

“Autoritetet ligjzbatuese nisën një hetim për një biznesmen italian me origjinë argjentinase me banim në Marbella. Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se këto kompani përdoreshin për fshehjen e aktiviteteve kriminale dhe transaksioneve financiare. Autoritetet identifikuan lidhjen kriminale të biznesmenit me një shtetas shqiptar me banim në Ekuador. Shtetasi shqiptar orkestroi importimin e kokainës nga Kolumbia në Ekuador dhe shpërndarjen e saj më pas në BE. Informacionet operative tregojnë se biznesmeni kishte një marrëveshje kontraktuale me furnitorët kolumbianë për të marrë 4 ton kokainë çdo muaj në Ekuador”.

Sipas njoftimit, drejtuesi i rrjetit kriminal luajti një rol kryesor në pastrimin e aseteve kriminale nëpërmjet investimit në biznese të ligjshme në Spanjë. Ai menaxhoi disa kompani, duke përfshirë një të fokusuar në prodhimin dhe importimin e bananeve nga Ekuadori në BE, si dhe qendra sportive në Marbella, qendra tregtare në Granada dhe bare dhe restorante të shumta. Shumë nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë kishin lidhje të forta me Ballkanin Perëndimor dhe menaxhonin rrjetin e shpërndarjes, i cili ishte i përhapur në të gjithë Evropën.

Operacioni kishte në shënjestër dy drejtuesit të këtij rrjeti kriminal.

“Të dy liderët kishin orkestruar trafikun e drogës dhe pastrimin e të ardhurave të konsiderueshme kriminale në ekonominë legale përmes blerjes së pronave, automjeteve luksoze dhe mallrave. Deri më tani, hetuesit kanë lidhur objektivat me transaksionet financiare që arrijnë në 48 milionë euro në të gjithë Ekuadorin dhe Spanjën”.

EUROPOL lehtësoi shkëmbimin e informacionit dhe ofroi mbështetje gjatë rrjedhës së këtij hetimi të përbashkët.

Gjithashtu ofroi analiza operacionale, inteligjencë operacionale dhe aktivitete të koordinuara operacionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore