Shqipëria

Gledis Nano nuk është më Drejtor i Policisë së Shtetit


Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi deklaroi se Gledis Nano nuk do të jetë më drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Sipas zyrtarit shqiptar ai nuk realizoi objektivat në krye të këtij posti, të cilin e mbajti për 11 muaj.

Zëvendësuesi i përkohshëm i Nanos në drejtimin e Policisë së Shtetit, do të jetë numri dy i këtij institucioni Tonin Vocaj.

Më herët, Albanian Post konfirmoi përmes burimeve zyrtare shkarkimin e pritshëm të Nanos.

Shkak për këtë u bë rrjedhja e informacioneve konfidenciale me interesa shtetërore.

Për gjatë gjithë periudhës së drejtimit të Nanos ka pasur rrjedhje serioze të informacionit dhe përgjegjësia kryesore bie mbi drejtorin e Policisë.

Lajmi për ikjen e tij qarkulloi që me nisjen e javës, por i pakonfirmuar nga asnjëra palë.

Po ashtu, zërat për largimin e “detyruar” të Nanos vijnë pasi në harkun kohor të dy muajve ( qershor korrik) ngjarjet kriminale patën “lulëzimin” e tyre.

Nisi me vendosjen e tritolit në automjetin e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj në Tiranë, që ende nuk është zbardhur apo dhënë emri i një të dyshuari.

Më pas kulmoi me ekzekutimet në Fushë-Krujë të Brilant Martinajt, Diklen Vatës e Besmir Hoxhës, si dhe vrasjen e Klisman Preçit në Milot dhe zhdukjen e Ervis Martinaj.

Por rrjedhja e informacionit mbetet pika e kthesës për largimin nga detyra e Nanos.

Kush është Gledis Nano?

Prej më shumë se një dekade, Gledis Nano ka shërbyer si oficer karriere në Policinë e Shtetit.

Nëse karriera e tij do të piketohej me tre momente, ato kulmojnë me dosjen e famshme të “Imamëve”, protagonizmin në riatdhesimin e shqiptarëve nga Siria dhe dëbimin e diplomatëve iranianë dhe rusë nga vendi ynë.

Në vitin 2013, ai ka kryer hetimet e dosjes se “Imameve” të arrestuar për terrorizëm, ngjarje e cila ka pasur shumë jehonë, si një nga më të suksesshmet në këtë fushë në të gjithë rajonin.

Ata akuzoheshin për rekrutim të personave, me qëllim kryerjen e akteve terroriste, si dhe nxitje dhe thirrje publike

Nano, po ashtu, drejtoi të gjithë operacionin sekret të dëbimit një muaj më parë të diplomatëve iranianë nga Shqipëria, operacion i “përshëndetur” edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu, ai ka udhëhequr operacionin për të nxjerrë nga Kampi Al Hol në Siri, shtetasit shqiptarë që mbaheshin aty, duke qenë një nga emrat kyç të këtij operacioni.

Ndërsa, në gusht të vitit të kaluar Gledis Nano ishte sërish protagonist i riatdhesimit të grave dhe fëmijëve shqiptarë nga kampi në Siri.

Ai ka marrë certifikatë vlerësimi për kontributin e dhënë në luftën kundër terrorizmit global, e ndërsa për punën e tij në këto operacione të rëndësishme është vlerësuar edhe nga ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore