Shqipëria

Nga operacionet në Siri te posti numër një i Policisë Shqiptare, kush është Gledis Nano?


Gledis Nano, i cili është tashmë Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë Shtetit, duke pasuar në post Ardi Veliun e dorëhequr, është një emër i njohur i këtij “sektori”.

Prej më shumë se një dekade, Nano ka shërbyer si oficer karriere në Policinë e Shtetit.

Nëse karriera e tij do të piketohej me tre momente, ato kulmojnë me dosjen e famshme të “Imamëve”, protagonizmin në riatdhesimin e shqiptarëve nga Siria dhe dëbimin e diplomatëve iranianë dhe rusë nga vendi ynë.

Në vitin 2013, ai ka kryer hetimet e dosjes se “Imameve” të arrestuar për terrorizëm, ngjarje e cila ka pasur shumë jehonë si një nga më të suksesshmet në këtë fushë në të gjithë rajonin. Ata akuzoheshin për rekrutim të personave me qëllim kryerjen e akteve terroriste si dhe nxitje dhe thirrje publike për kryerjen e këtyre akteve.

Nano po ashtu drejtoi të gjithë operacionin sekret të dëbimit një muaj më parë të diplomatëve iranianë nga Shqipëria, operacion i “përshëndetur” edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu, ai ka udhëhequr operacionin për të nxjerrë nga Kampi Al Hol në Siri, shtetasit shqiptarë që mbaheshin aty, duke qenë një nga emrat kyç të këtij operacioni.

Ndërsa në gusht të këtij viti, Gledis Nano ishte sërish protagonist i riatdhesimit të grave dhe fëmijëve shqiptarë nga kampi në Siri.

Ai ka marrë certifikatë vlerësimi për kontributin e dhënë në luftën kundër terrorizmit global, e ndërsa për punën e tij në këto operacione të rëndësishme është vlerësuar edhe nga ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Në certifikatën e dorëzuar nga vetë Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, shkruhet: “Për partneritetin e jashtëzakonshëm dhe dedikimin në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Shqipëri, dhe përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit”.

Gledis Nanos i jepet certifikata e mirënjohjes nga Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim

“Vendosmëria juaj dhe përkushtimi në luftën kundër terrorizmit ka sjellë kredite të mëdha e të shtuara tek vetja juaj edhe për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Policinë e Shtetit”.

Me detyrën e re, Nanon e presin sfida jo të panjohura për të, por me përgjegjësi më të mëdha.

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe çështja e cannabisit, do të jenë “udhëtare” në operacionet e drejtuara nga Nano, emri i ri i Drejtorisë së Policisë Shtetit.

Ai u emëruar si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri të mërkurën e 6 tetorit.

Ky emërim vjen fill pas dorëheqjes së ish-kreut të forcave, Ardi Veliut.

Këtë e ka konfirmuar edhe ministri i Brendshëm, Bledar Çuci, përmes një deklarate për media.

Ai shprehet se “Nano është një oficer karriere dhe ka një sfidë për ta çuar përpara këtë performancë të Policisë së Shtetit”.

Ndërsa foli edhe për rritje të standardeve të Policisë së Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore