Lajme

Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim rastin e Shaban Gogajt


Njëra ndër seancat ndaj Shaban Gogaj.

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës së Apelit, e ka kthyer në rigjykim rastin e Shaban Gogajt i cili nga Gjykata Themelore e Pejës ishte dënuar me vetëm 7 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e Agonis Tetajt.

Një vendim i tillë ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.

“Anulohet aktgjykimi ndaj të akuzuarve Sh.G. dhe I.C., ndërsa çështja kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Departamentit për Krime të Rënda, është aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan-Departamenti për Krime të Rënda, ashtu që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është anuluar dhe çështja është i kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Apeli në këtë rast konsideron se Themelorja nuk i vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale.

“Në arsyetim të aktvendimit gjykata e shkallës së dytë ka theksuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje të cilat nuk mund të jenë pjesë përbërëse e çështjes penale dhe të njëjtat aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, e bëjnë të pa kuptueshëm”.

“Është e vërtetë se në këtë çështje penale është mbajtur shqyrtimi gjyqësor dhe është nxjerrë aktgjykimi, mirëpo gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale”, thuhet në njoftim.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar ekzistimin e veprës penale, për të cilën e ka shpallur fajtor të akuzuarin.

“Rezulton se në masë të duhur nuk janë vlerësuar të gjitha provat të cilat janë pjesë përbërëse e kësaj lënde penale për të gjetur përfundimin e rikualifikimit të veprës penale nga vepra penale e vrasjes së rëndë, nga neni 179 par.1 pika 1.5 të KPK, në veprën penale të vrajës nga pakujdesia, nga neni 181 të KPK, si dhe motivin e kryerësit të veprës penale”.

“Ndërsa sa i përket çështjes së paraburgimit, i njëjti është shqyrtuar por kolegji i kësaj gjykate ka ardhur në përfundim se i njëjti duhet të zgjatet, ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore, që i akuzuari Sh.G., të qëndroj në paraburgim”, thuhet në njoftim.

Më 14 tetor, Shaban Gogaj ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.

Ky vendim ishte marrë nga Gjykata Themelore në Pejë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore