Lajme

Shaban Gogaj dënohet vetëm 7 vjet burgim për vrasjen e Agonis Tetajt


Seanca ndaj Shaban Gogaj.

Shaban Gogaj është dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.

Ky vendim është marrë nga Gjykata Themelore në Pejë.

Aktygjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, bën të ditur ‘Betimi për Drejtësi’.

Bazuar në aktgjykim Gogaj është gjykuar për vrasje nga pakujdesia për 5 vite burgim dhe 3 vite burgim për armëmbajtje pa leje.

Seanca ndaj Shaban Gogaj.

Gjykata për të akuzuarin Shaban Goajn caktoi dënimin unik prej 7 viteve e 6 muaj . Kurse i pandehuri Isuf Cacaj  për armëmbajtje pa leje dënohet me 2000 euro.

Të pandehurit Gogaj do t’i konfiskohet një armë e zjarrit dhe një  armë me gaz.

Në seancë ka qenë prezent edhe ish-avokati i të akuzuarit Gogaj, Besnik Berisha, i cili ishte përjashtuar nga ky rast.

Historiku i rastit

Seanca ndaj të pandehurit Gogaj kishte pasur 9 muaj bllokadë në zhvillimin e seancave gjyqësore.

Gjykata e Pejës në qershor të vitit 2021 kishte marrë vendim që ta përjashtoj avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

Avokati Berisha ishte dënuar me gjobë 500 euro sepse sipas gjykatësit i njëjtit i kishte përsëritur pyetjet e njëjta përkundër që i është tërhequr vërejtja, e po ashtu faktin se vazhdimisht ka deklaruar se gjykata e ka paragjykuar këtë çështje.

Pas 9 muajsh bllokadë në zhvillimin e seancave gjyqësore ndaj të pandehurit Shaban Gogaj, Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve(OAK), më 22 prill 2022, kishte vendosur që të shfuqizojë vendimin e saj që ndaj Gogajt të mos caktohet ndonjë avokat sipas detyrës zyrtare.

Pas përjashtimit të avokatit Berisha, disa nga avokatët të cilët ishin caktuar nga ana e Gjykatës së Pejës për të përfaqësuar Shaban Gogaj, kishin refuzuar të japin mbrojtjen e tyre për shkak të vendimit të Odës së Avokatëve të Kosovës që ndalonte avokatët sipas detyrës zyrtare që ta përfaqësonin Gogajn në gjykatë.

Në seancën e 25 nëntorit 2021, i akuzuari Gogaj kishte refuzuar të caktojë mbrojtës tjetër përveç avokatit Besnik Berisha.

Avokati Besnik Berisha në njërën nga seancat e Shaban Gogaj.

Avokati Gani Kelmendi në seancën e 1 prillit të 2022 kishte bërë të ditur gjykatën se pa vullnetin e tij ishte tërhequr nga dhënia e mbrojtjes për të pandehurin Gogaj, pasi që ishte paralajmëruar për heqjen e licencës së avokatit, nëse ai e përfaqëson këtë çështje penale.

Ndërsa në seancën e 16 shkurtit 2022 avokati Gëzim Kollçaku, i cili i ishte caktuar të akuzuarit Gogaj si mbrojtës sipas detyrës zyrtare,  ishte dënuar për herë të tretë me 250 euro gjobë, për zvarritje të procedurës penale, i cili nuk ka pranuar të mbrojtë të pandehurin Gogaj.

Ndërsa, në seancën e mbajtur më 31 janar 2022, mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Gëzim Kollçaku ishte dënuar për herë të tretë me 250 euro gjobë për zvarritje të gjykimit.

Edhe më 30 dhjetor 2021, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova ka shqiptuar 250 euro gjobë ndaj avokatit Kollçaku, i cili kishte munguar në seancën e 29 dhjetorit, duke refuzuar ftesën e gjykatës.

Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur.

Kalon në karriken tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të, Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra,

Nga kjo shkrepje, sipas prokurorit Uka, goditet tani i ndjeri Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i akuzuari kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty.

Sipas aktakuzës që ishte ricilësuar nga prokurori Uka, i akuzuari këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore