Lajme

Gjermania dhe Katari, marrëveshje për furnizimin me gaz


Gjermania dhe Katari kanë arritur një partneritet afatgjatë energjetik. Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar gjerman.

Kjo pasi ekonomia më e madhe e Evropës kërkon të bëhet më pak e varur nga burimet ruse të energjisë.

Rusia është furnizuesi më i madh i gazit për Gjermaninë dhe ministri gjerman i ekonomisë, Robert Habeck, ka ndërmarrë disa iniciativa për të pakësuar varësinë energjetike të Gjermanisë nga Rusia, që kur ajo pushtoi fqinjin e saj Ukrainën.

Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani ,u takua me Habeck të dielën dhe të dy diskutuan mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në sektorin e energjisë.

Një zëdhënës i ministrisë gjermane të Ekonomisë në Berlin konfirmoi të dielën se një marrëveshje ishte arritur.

“Kompanitë që kanë ardhur në Katar me (Habeck) tani do të hyjnë në negociata për kontratë me palën e Katarit”, tha zëdhënësi.

Në një deklaratë, Katari tha se për vite me radhë kishte kërkuar të furnizonte Gjermaninë, por diskutimet nuk çuan kurrë në marrëveshje konkrete.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore