Lajme

Gërvalla s’raporton në Komisionin për integrime evropiane, arsyeja udhëtimi i saj urgjent jashtë vendit


Donika Gërvalla

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë ditës së mërkurë nuk ka shkuar për raportim në Komisionin për Integrime Evropiane.

Kjo për shkak të një udhëtimi urgjent jashtë vendit që kryediploamtja Gërvalla është detyruar ta bëjë.

Arsyen e mungesës së shefes së diplomacisë kosovare e ka konfirmuar kryetarja e këtij komisioni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi duke e quajtur të papërgjegjshme Gërvallën.

“Ditën e hënë kemi pranuar konfirmim se ministrja mund të raportoj më datën 22, dhe pastaj dje kemi marrë njoftim nga ana e kabinetit të saj se për shkak të një udhëtimi urgjent ministrja nuk do të mund të raportoj në mbledhjen e sotme”, ka thënë Krasniqi.

Komisioni për integrime evropiane

Edhe për deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe njëherësh anëtare e këtij komisioni, është papërgjegjësi mungesa e ministres Gërvalla.

“Ministrja duhet të vij dhe të tregojë se çfarë po ndodh me marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, ka thënë Deliu-Kodra.

Në anën tjetër në mbrojtje të kryediplomates Gërvalla ka dalë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe zëvendëskryetarja e parë e këtij komisioni, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, duke mos u pajtuar që të quhet papërgjegjësi mos raportimi i ministres.

“Arsyeja e mungesës së ministres është fakti që asaj i është dashur urgjent të udhëtoi, mendoj se nuk duhet të quhet papërgjegjësi nga ana jonë si deputet . Unë e kuptoj që është e rëndësishme që secili ministër të raportoi në komisione, por e rëndësishme është që secili ministër ti qoj përpara agjendat e tyre”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.

Ndryshe më 30 nëntor të këtij viti Ministrja Gërvalla gjatë gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në kuadër të Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se Kosova nuk ka pranuar asnjëherë ftesë zyrtare sa i përket iniciativës Open Balkan.

Sipas saj me iniciativën në fjalë është tentuar të krijohet një paralele jo vetëm për rrugën drejt Bashkimit Evropian por edhe procesit të Berlinit.

“Jemi deklaruar qartë se as nuk kërkojnë alternativa ndaj anëtarësimit në BE e as për iniciativat që më shumë janë fjalë goje. Republika e Kosovës nuk ka marrë asnjëherë një përshkrim për çfarë është Open Ballkan e nuk ka marrë as një ftesë zyrtare për të qenë pjesë e saj përveç asaj që është deklaruar”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore