Lajme

Gërvalla refuzon ta shkarkojë, ministrja sllovene refuzon ta komentojë – Martin Berishaj ambasadori i shndërruar në problem


Donika Gervalla, Martin Berishaj dhe Tanja Fajon

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, deklaroi se për ambasadorin e Kosovës në Slloveni, deri më tani ka parë vetëm lajme, të cilat i ka quajtur spekulime, prandaj nuk mund të marr një veprim pa pasur diçka zyrtare.

E pyetur në një konferencë të përbashkët me homologen e saj sllovene, Tanja Fajon, e cila po qëndron për vizatë zyrtare në Kosovë, Donika Gërvalla shtoi se një veprim në drejtim të Martin Berishajt do ta bënte vetëm po të kishte ndonjë të dhëna zyrtare.

“Unë kam kërkuar dhe do t’vazhdoj t’kërkoj – si dhe herën e parë kur janë ngritur spekulimet e para rreth çështjes së ambasadorit Berishaj nga shtete të cilat janë përmendur – në rrugë zyrtare që t’na japin informacion se a ka, a janë të vërteta apo janë vetëm spekulime të mediave të ndryshme akuzat ndaj tij”, tha Gërvalla.

Por, sipas saj, “deri në këtë moment unë nuk kam as edhe një, as edhe një informacion të vetëm dhe me këmbëngulje në rrugë zyrtare do t‘vazhdoj të kërkoj informacione të kësaj natyre”.

Megjithatë, “nuk kam asnjë informacion të vetëm që shkelje të tilla kanë ndodhur apo që hetime të këtyre natyrave janë duke ndodhur”.


Prandaj, tha Gërvalla, “duhet t’keni mirëkuptim që ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve mediale. Ambasadori shkarkohet në momentin kur ka arsye faktike pse ambasadori do të duhej të shkarkohej për shkak se mund të ketë diku shkelje nga ana e tij”.

Në fakt, ka shkelje konkrete dhe Gërvalla është në dijeni të tyre. Gjithashtu ka edhe hetime.

Prokuroria Themelore e Kosovës po e heton Martin Berishajn për mos-deklarim të pasurisë, apo deklarim të rrejshëm të pasurisë, derisa Prokuroria Speciale e Kosovës po e heton Martin Berishajn për shpëlarje parash.

Berishaj, siç dihet, është paguar nga kompania GEN-I Slloven dega në Beograd me shumë të majme qindra-mijëra euro (mbi 600 në total), për konsulencë.

Ai ka pasur të hapur një kompani me emrin MB Consulting në Mal të Zi ku edhe i ka pranuar paratë.

Për pagesën dhe kompaninë Berishaj ka folur vetë në komisionin parlamentar. Ai e ka pranuar edhe se është paguar edhe se është pronar i asaj kompanie edhe se të njëjtën nuk e deklaroi siç e kërkon ligji në deklarimin e pasurisë kur u bë ambasador i Kosovës.

I pyetur përse nuk e ka bërë, Berishaj kishte thënë se “kam harruar”.

Për Berishajn është pyetur edhe ministrja sllovene Tanja Fajon.

Ndryshe, nga Gërvalla ajo ka thënë se për çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë, “nuk komentoj”.

“Nuk komentoj për çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë, nuk më takon mua”, pohoi ajo.

Pas Berishajt, çështje të tjera

Në konferencën e përbashkët për media Gërvalla e Fajon kanë folur edhe për çështje të tjera, kryesisht për raportin e mirë ndështetëror mes Kosovës dhe Sllovenisë.

Gërvalla tha se “Sllovenia është avokate e rëndësishme e rajonit tonë”.

“Si shtet i BE-së, sllovenia është treguar avokate e shquar edhe e rajonit dhe kjo këmbëngulje e Sllovenisë ka hapur një sërë temash që e kanë bërë më të pranishëm debatin për anëtarësim të Ballkanit në BE”.

Gjithsesi, Gërvalla shtoi se Ballkani ndodhet në një periudhë shumë të rrezikshme të historisë që përfshinë gjithë Evropën.

“BE-ja ka humbur shumë vite të vlefshme lidhur me integrimin e Ballkanit. Pa një Evropë që përfshinë të gjithë Evropën sfidat do jenë të mëdha. Rajoni ynë ndodhet në njëfarë të rrezikshme të historisë evropiane. Duke mos reaguar situata bëhet më serioze”, tha Gërvalla.

Ajo ka përmendur edhe rolin destruktiv të Serbisë në rajon dhe afërsinë me Rusinë.

“Serbia është aleati më i afërt i Rusisë prandaj kërcënimet me luftë që Serbia i bën kërkojnë përgjigje të përbashkët dhe të unifikuar me qëllim që strategjia e tyre e kërcënimeve mos të funksionojë”.

Në anën tjetër, Fajon foli për nevojën që në veri të Kosovës mos të ketë eskalime, sepse është në pyetje imazhi i Kosovës.

“Çfarëdo krize vetëm dëmton imazhin tuaj, prandaj keni mbështetjen tonë si BE dhe si Slloveni, edhe apeli im ishte që të shmangim çfarëdo eskalimi”, deklaroi Fajon.

Diplomatja sllovene, që po qëndron në Kosovë në një vizitë zyrtare, deklaroi se “lufta në Ukrainë e ka treguar nevojën që Kosova me patjetër të bëhet shumë më stabile”, meqë është parë se kriza të tilla mund të prodhojnë konflikte.

Ajo ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ku tha se ideja është që “jeta të bëhet sa më e thjesht për njerëzit”.

Sa për propozimin e fundit franko-gjerman, Fajon deklaroi se beson shumë që “Kosova do të ulet në tavolinë të bisedojë dhe sigurisht këto negociata të bëhen sa më shpejt që është e mundur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore