Lajme

Prokuroria nis hetimet, por MPJ s’e ka ndërmend ta kthejë nga misioni diplomatik Martin Berishajn


Foto nga Albanian Post

Një herë ishin vetëm “disa media opozitare në Slloveni”, pastaj “disa media në Kosovë që janë kundër qeverisë”, më pas vetëm “Agjencioni Kundër Korrupsion që po heton mos-deklarim të pasurisë” dhe tash Prokuroria ka nisur hetimet për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, por Ministria e Punëve të Jashtme refuzon ta kthejë nga misioni diplomatik.

Qysh nga java e kaluar, kur zyrtarja për media nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, konfirmoi për Albanian Post se “Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka pranuar kallëzimin penal dhe është duke e trajtuar”, e deri te përgjigja e sotme e të njëjtës zyrtare se rasti është në hetime”, AP ka kërkuar përgjigje nga MPJ, por ministria s’ka kthyer gjë prapa.

Arben Rugova nga Divizioni për Komunikim Publik në MPJ pas disa tentativave të redaksisë, ka folur, por vetëm sa për të treguar se janë pranuar pyetjet.

“Po, kemi komunikuar dhe i kam proceduar pyetjet tuaja”, pati thënë ai.

Para një jave, Rugova i tha AP-së se “tani meqë zyrtarja përgjegjëse është kthyer në punë, po ju përcjell edhe adresën e saj për të kërkuar përgjigje në pyetjet tuaja”.

Kanë kaluar disa ditë, por kjo zyrtare përgjegjëse s’u tregua e përgjegjshme, duke mos dhënë përgjigje.

Berishaj po hetohet për mosdeklarim të pasurisë pranë Agjencisë Kundër Korrupsion, obligim ligjor ky për zyrtarët publikë në Kosovë.

Nëse prokuroria pas hetimit gjen bazë për dyshim të arsyeshëm atëherë ngritët edhe aktakuza.

Martin Berishaj, siç u kuptua nga plasja e një skandali në Slloveni, kishte kompani në Mal të Zi dhe gjithashtu dy kompani në Kosovë – asnjë nga këto të deklaruara para AKK-së.

Ai nuk është deklaruar asnjëherë rreth rastit të tij, derisa kryeministri i Kosovës, presidentja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e kanë mbrojtur në vazhdimësi.

Për Berishajn, dhe përzierjen e tij eventuale në dallavere me energji elektrike, është themeluar edhe një Komisioni Parlamentar që po heton blerjet e energjisë elektrike nga qeveria vitin e kaluar.

Çka ndodhi? 

Në muajin prill media sllovene TV Planet publikoi dokumente ku tregohej se është bërë një bartje e parave nga kompania energjetike GEN-I, dega në Beograd, për në kompaninë e ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj, MB Consulting dhe më pas ai i ka tërhequr partë dhe dërguar në Slloveni te atëherë politikani opozitar, tash kryeministri, Robert Golob.

Albanian Post atë kohë pati realizuar intervista me gazetarë të TV Planet edhe mediumeve të tjera sllovene dhe gjithashtu me gazetarë të Malit të Zi, që sqaronin se çfarë kishte ndodhur.

Tani, kur Golob është në krye të qeverisë sllovene largoi drejtorin e zyrës që po hetonte rastin e tij e të ambasadorit të Kosovës.

Martin Berishaj dhe Albin Kurti

Mediumi slloven “Demokracija” shkruan edhe se “në Kosovë kanë krijuar një komision hetimor në parlament, pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe shtetasi i tyre, ambasadori Martin Berishaj. Ky i fundit thuhet se është një mushkë parash për Robert Golob”.

Jo vetëm ky drejtor i këtij institucioni është larguar nga pozita, revista shkruan se “prioriteti kryesor i qeverisë së Golob janë spastrimet e personelit”.

“64 ndryshime të njerëzve nëpër pozita kanë ndodhur vetëm në 10 ditët e para. Stafi, revanshizmi dhe ngazëllimi kanë shënuar këto ditë të para të qeverisjes së Golobit”.

Në anën tjetër, në Kosovë, Komisioni Parlamentar për Hetimin e blerjes së Energjisë Elektrike në kohë të krizës në Kosovë, ka filluar punën dhe ministrja e Ekonimisë, Artane Rizvanolli, veçse ka filluar intervistimin para anëtarëve të komisionit.

Për, vetë ambasadorin Berishaj nuk ka pasur ndonjë pasojë. Presidentja Vjosa Osmani, zëvendës-kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe vetë kryeministri, Albin Kurti, i kanë qëndruar pranë atij dhe kanë thënë se i besojnë se është i pafajshëm.

Derisa eksponentë të pushtetit në Kosovë, lajmet për Berishajn i kanë pas cilësuar si fushatë mediatike për t’ia përlyer figurën.

Historia e skandalit dhe reagimet në Kosovë

Media sllovene raportoi se një kompani energjetike ballkanike GEN-I, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.

Berishaj u deklarua vetëm në Facebook. Mohoi se kishte të bënte me shpëlarje parash, por nuk mohoi se është pronar i kompanisë malazeze dhe gjithashtu nuk mohoi pagesat nga kompania e energjisë elektrike GEN-I, dega në Serbi.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, tha Berishaj në Facebook.

Në të kaluarën, para se të futej në politikë, Golob ishte drejtor i kompanisë së njëjtë në Slloveni.

GEN-I është kompania më e madhe në Ballkan për energji elektrike. Ka dyshime që është e përfshirë me elektro-mafian serbe.

Albanian Post më vonë kuptoi se ekzistojnë edhe dy kompani në Kosovë që pronarë kanë Martin Berishajn. Bëhet fjalë për kompanitë “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”.

Berishaj në këto kompani kishte partnerë sllovenë, edhe ata të dyshuar për dallavere në të kaluarën në Slloveni.

Presidentja e Kosovës një herë, e pyetur nga gazetarët tha se i “besojmë ambasadorit tonë” në pafajësinë e tij.

Më vonë, presidenca lëshoi një komunikatë zyrtare, ku thuhej se e kanë thirrur ambasadorin të vijë në Kosovë dhe të raportojë për këtë rast.

Albanian Post realizoi një intervistë me gazetarin slloven, Primoz Cirman. Ai tha se skandalin e fabrikoi Janez Jansha (kryeministri aktual i Sllovenisë), ndërsa Berishaj ishte miku i tij, por atë e sakrifiuan duke e bërë pjesë të skandalit që të përfitonin për vete.

Cirman pohoi se “sipas burimeve tona, baza e këtyre informacioneve është se zotëri Berishaj ishte ndërmjetës për kompaninë GEN-i për tregti në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte një ndërmjetës lokal edhe ishte paguar me një shumë, apo komision, varësisht nga sasia që kishte shitur kompania. Pse e përmend këtë kompani tani, sepse kjo kompani udhëhiqej nga Golob që tash është kandidat për kryeministër dhe tani është duke udhëhequr sipas sondazheve dhe duket se ka shanse të mëdha të formojë një koalicion qeveritar dhe Golob të bëhet kryeministër. Ky pra është konteksti”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, publikoi në llogarinë e tij në Facebook një status, ku tha se “duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai mendon njëjtë siç e ka dhënë komentin zëdhënësi i Qeverisë dhe nuk u përgjigj në pyetjen se “a duhet të shkarkohet Berishaj”.

Portali inFokus publikoi një shkrim, ku tregohej se si Kompania GEN-I me zyrë në Beograd, me të cilën u përfshi emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, pikërisht në kohën e kolapsit energjetik.

Partia Demokratike e Kosovës doli me një deklaratë për media ku thanë se kanë ditur diçka rreth këtij skandali, por nuk e besonin se kishte zyrtarë të lartë të Kosovës kaq thellë të përfshirë. Thanë se kjo është arsyeja përse Lëvizja Vetëvendosje nuk po lejon themelimin e një komisioni që do zbulonte çfarë ka ndodhur me subvencionet e Qeverisë për blerjen e rrymës në kohën e krizës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore