Lajme

“Martin Berishaj është akteri kryesor i këtij rrëfimi” – Intervistë ekskluzive e Albanian Post me producentin e TV Planet, media që zbuloi skandalin financiar në Slloveni


Gazetari, producenti dhe publicisti slloven, Bojan Pozar

“Ai (Martin Berishaj) është akteri kryesor i këtij rrëfimi, ai është themeluesi i ndërmarrjes të lartpërmendur (MB Consulting), ai ka pranuar paratë dhe ai ka transferuar paratë tutje”, ka thënë Bojan Pozar, gazetari dhe producenti i TV Planet, medias që zbuloi skandalin financiar ku është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post.

Pozar është gazetar e producent shumë i suksesshëm në Slloveni.

Aktualisht, ai drejton emisionin politik të pasdites “Ura moči” (“Ora e Fuqisë”) në TV Planet, çdo të diel në orën 18:30.

Para këtij emisioni, Pozar ka qenë editor dhe producent i programit politik “Faktor”, që emetohej katër herë në javë në televizionin TV3 Slovenia. Një emision që bazohej në modelin e emisionit politik amerikan më të shikuar “The O’Reilly Factor” me gazetarin veteran Bill O’Reilly.

Pozar gjithashtu është themelues i portalit informativ-politik me parapagim “Pozareport”.

I pyetur nga Albanian Post rreth skandalit të fundit – TV Planet publikoi dokumente ku tregohet se është bërë një bartje e parave nga kompania energjetike GEN-I, dega në Beograd për në kompaninë e ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj, MB Consulting dhe më pas ai i ka tërhequr partë dhe dërguar në Slloveni te politikani opozitar Robert Golob – Pozar thotë se gjithçka është e vërtetë.

“I kam parë dokumentet, në TV Planet i kam shikuar dokumentet dhe momentalisht çështja është kështu: ambasadori Berishaj ka themeluar ndërmarrjen MB Consulting në Mal të Zi dhe përafërsisht dhjetë ditë pas themelimit të kësaj ndërmarrje kanë filluar të rrjedhin pagesat nga filiali simotër e ndërmarrjes shtetërore sllovene GEN-I në Beograd”, deklaron ai.

Martin Berishaj dhe Robert Golob

“Kështu filiali i ndërmarrjes GEN-I në Beograd ka kryer pagesa në xhirollogarinë e ndërmarrjes së ambasadorit në Mal të Zi në Podgoricë, ka filluar të bëjë pagesa në shumat 10 mijë – 20 mijë euro. Shuma më e madhe ka qenë rreth 50 mijë euro. Shuma e përgjithshme e pagesave është përafërsisht 600 mijë euro”.

Pozar shton se “vlen të theksohet se ambasadori menjëherë pas pranimit të pagesave, ka bërë tërheqjen e të hollave, të cilat pastaj do t’i bartte te Robert Golobi në Lubjanë”.

Gazetari i TV Planet përmend edhe faktin se në kohën kur ndodhi e gjithë kjo, “Robert Golobi ka qenë Kryetar i Bordit të ndërmarrjes shtetërore energjetike sllovene. Më vonë supozohet se këto para Robert Golobi i ka investuar në disa fonde financiare italiane, të cilat ua mundësojnë investitorëve anonimitetin”.

Emisioni i Bojan Pozar në TV Planet, “Ura moči”

Por, a mos është e gjithë kjo një histori e stisur për ta dëmtuar Golobin në zgjedhjet që mbahen të dielën në Slloveni, në mënyrë që t’i mundësohet kryeministrit aktual, Janez Jansha edhe një mandat?

Albanian Post e ka ballafaquar Pozar me atë që ka thënë Primoz Cirman, gazetar investigativ slloven, në një intervistë që Albanian Post e pati paraprakisht me të.

Pozar mohon, ndonëse thotë që e kupton se mediat tash në Slloveni do të tentojnë t’i japin një kahe të tillë.

“Shikoni, te ne zgjedhjet do të mbahen të dielën, dhe kjo mund të merret si pjesë e fushatës zgjedhore. Mirëpo këto supozime të cilat po i cekni ju, më shumë vënë në spikamë ato mediume sllovene, të cilat e përkrahin kandidatin Robert Golobin. Nuk ka kurrfarë dyshimi se mediat, të cilat janë të afërta me Janez Janshën dhe mediat të cilat janë të afërta me Robert Golobin, kanë pikëpamje të ndryshme për këto çështje dhe ato tani e sulmojnë TV Planet për çështjet për të cilat ne po diskutojmë”, deklaron ai, duke qeshur me deklarimet se TV Planet është media pro-Jansha dhe e diktuar nga oligarkë hungarezë.

Pozar në intervistë ka përmendur po ashtu faktin se “ambasadori është gjithashtu themelues edhe i një ndërmarrjeje në Prishtinë të përbashkët me Janez Bukovnikun, një personalitet i njohur në Slloveni, i cili njëkohësisht ka qenë drejtor i Lotarisë sportive të Sllovenisë, me të cilin ambasadori ka ndërmarrje në Prishtinë”.

Sipas tij, “ky është një tregues se ambasadori ka qenë partner me një numër të personaliteteve të njohura dhe me ndikim në sllovene për transaksione afariste jashtë Sllovenisë”.

Pozar thotë se ky lloj skandali me transaksione të dyshimta nuk është diçka e re në Slloveni.

Të tilla, deklaron ai, ka pasur edhe në të kaluarën.

“Përkatësisht është ky një model tanimë i etabluar i afarizmit i një pjese të elitës sllovene, me të cilën ambasadori është i involvuar”.

Pozar, përveçse si gazetar e producent në Slloveni, njihet edhe si publicist. Ai, bashkë me Igor Omerza, në vitin 2016 kishin publikuar librin “Melania Trump – E vërteta e zhveshur: Si të shkoni nga Sevnica në Shtëpinë e Bardhë në Washington”.

Libri i Bojan Pozar për Melania Trump

Historia e skandalit dhe reagimet në Kosovë

Media sllovene raportoi se një kompani energjetike ballkanike GEN-I, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.

Berishaj u deklarua vetëm në Facebook. Mohoi se kishte të bënte me shpëlarje parash, por nuk mohoi se është pronar i kompanisë malazeze dhe gjithashtu nuk mohoi pagesat nga kompania e energjisë elektrike GEN-I, dega në Serbi.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, tha Berishaj në Facebook.

Në të kaluarën, para se të futej në politikë, Golob ishte drejtor i kompanisë së njëjtë në Slloveni.

GEN-I është kompania më e madhe në Ballkan për energji elektrike. Ka dyshime që është e përfshirë me elektro-mafian serbe.

Albanian Post më vonë kuptoi se ekzistojnë edhe dy kompani në Kosovë që pronarë kanë Martin Berishajn. Bëhet fjalë për kompanitë “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”.

Berishaj në këto kompani kishte partnerë sllovenë, edhe ata të dyshuar për dallavere në të kaluarën në Slloveni.

Presidentja e Kosovës një herë, e pyetur nga gazetarët tha se i “besojmë ambasadorit tonë” në pafajësinë e tij.

Më vonë, presidenca lëshoi një komunikatë zyrtare, ku thuhej se e kanë thirrur ambasadorin të vijë në Kosovë dhe të raportojë për këtë rast.

Albanian Post realizoi një intervistë me gazetarin slloven, Primoz Cirman. Ai tha se skandalin e fabrikoi Janez Jansha (kryeministri aktual i Sllovenisë), ndërsa Berishaj ishte miku i tij, por atë e sakrifiuan duke e bërë pjesë të skandalit që të përfitonin për vete.

Cirman pohoi se “sipas burimeve tona, baza e këtyre informacioneve është se zotëri Berishaj ishte ndërmjetës për kompaninë GEN-i për tregti në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte një ndërmjetës lokal edhe ishte paguar me një shumë, apo komision, varësisht nga sasia që kishte shitur kompania. Pse e përmend këtë kompani tani, sepse kjo kompani udhëhiqej nga Golob që tash është kandidat për kryeministër dhe tani është duke udhëhequr sipas sondazheve dhe duket se ka shanse të mëdha të formojë një koalicion qeveritar dhe Golob të bëhet kryeministër. Ky pra është konteksti”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, publikoi në llogarinë e tij në Facebook një status, ku tha se “duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai mendon njëjtë siç e ka dhënë komentin zëdhënësi i Qeverisë dhe nuk u përgjigj në pyetjen se “a duhet të shkarkohet Berishaj”.

Portali inFokus publikoi një shkrim, ku tregohej se si Kompania GEN-I me zyrë në Beograd, me të cilën u përfshi emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, pikërisht në kohën e kolapsit energjetik.

Partia Demokratike e Kosovës doli me një deklaratë për media ku thanë se kanë ditur diçka rreth këtij skandali, por nuk e besonin se kishte zyrtarë të lartë të Kosovës kaq thellë të përfshirë. Thanë se kjo është arsyeja përse Lëvizja Vetëvendosje nuk po lejon themelimin e një komisioni që do zbulonte çfarë ka ndodhur me subvencionet e Qeverisë për blerjen e rrymës në kohën e krizës.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka drejtuar një pyetje Albin Kurtit, ku i kërkon të tregojë se: a është i përfshirë në këtë skandal?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore