Lajme

Gërvalla: Nuk shkarkohet ambasadori Berishaj për shkak të spekulimeve


Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon

(Lajmi është përditësuar)

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se i ka përcjellur edhe lajmet e fundit për ambasadorin Martin Berishaj, por ajo s’mund ta shkarkojë atë sepse zyrtarisht nuk ka asnjë fakt se ai ka bërë ndonjë shkelje.

“Duhet të kemi mirëkuptim se ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve mediale, por për arsye faktike pse duhet të shkarkohet. Deri në këtë moment nuk kam asnjë informacion të vetëm që shkelje të tilla kanë ndodhur”, ka deklaruar Gërvalla.

Megjithatë, ajo shtoi se Baerishaj ka shprehur gatishmëri që të vije në Kosovë e të mbajë një konferencë për media për të sqaruar situatën.

“Unë do të vazhdoj të kërkojë me ngulëm të kërkoj informacione zyrtare prandaj kërkoj mirëkuptim. Berishaj ka treguar gatishmëri që ose me shkrim të bëjmë një konferencë të përbashkët me shtyp dhe aty t’iu përgjigjet të gjithëve”.


Gërvalla: Rajoni ndodhet në një fazë të rrezikshme të historisë

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Ballkani ndodhet në një periudhë shumë të rrezikshme të historisë që përfshinë gjithë Evropën, në një konferencë për media me homologen e saj sllovene, Tanja Fajon.

“BE-ja ka humbur shumë vite të vlefshme lidhur me integrimin e Ballkanit. Pa një Evropë që përfshinë të gjithë Evropën sfidat do jenë të mëdha. Rajoni ynë ndodhet në njëfarë të rrezikshme të historisë evropiane. Duke mos reaguar situata bëhet më serioze”, tha Gërvalla.

Ajo ka përmendur edhe rolin destruktiv të Serbisë në rajon dhe afërsinë me Rusinë.

“Serbia është aleati më i afërt i Rusisë prandaj kërcënimet me luftë që Serbia i bën kërkojnë përgjigje të përbashkët dhe të unifikuar me qëllim që strategjia e tyre e kërcënimeve mos të funksionojë”.

Edhe më 13 janar, Fajon deklaroi se liberalizimi i vizave për Kosovën dhe integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në listën e prioriteteve të Bashkimit Evropian (BE).

Fajon të premten në Sarajevë, ka biseduar me ministren e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës (BeH), Bisera Turkoviç, e cila tha se është e shqetësuar për shkak të tensioneve që mund të ndizen sërish në Kosovë dhe BeH.

Kryediplomatja sllovene do të takohet edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën.

Ajo do të qëndrojë në një vizitë dyditore në Prishtinë, më 15-16 janar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore