Lajme

“Nuk komentoj”, ministrja e Jashtme sllovene pyetet për Martin Berishajn


Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon

“No coment” ka qenë përgjigja e ministres së Punëve të Jashtme të Sllovenisë kur është pyetur për ambasadorin e Kosovës në këtë shtet, Martin Berishaj dhe përfshirjen e tij në një skandal të tregtimit të energjisë elektrike me kompaninë sllovene GEN-I.

“Nuk komentoj për çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë, nuk më takon mua”, pohoi ajo.

Shumë më e vullnetshme ka qenë Fajon që të komentojë për situatën Kosovë – Serbi, rolin e Sllovenisë dhe nevojën që situata të mos eskaloj.

“Në lidhje me Kosovën dhe Serbinë, çfarëdo krize vetëm dëmton imazhin tuaj, prandaj keni mbështetjen tonë si BE dhe si Slloveni, edhe apeli im ishte që të shmangim çfarëdo eskalimi”, deklaroi Fajon në konferencë të përbashkët për media me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Fajon, që po qëndron në Kosovë në një vizitë zyrtare, deklaroi se “lufta në Ukrainë e ka treguar nevojën që Kosova me patjetër të bëhet shumë më stabile”, meqë është parë se kriza të tilla mund të prodhojnë konflikte.

Ajo ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ku tha se ideja është që “jeta të bëhet sa më e thjesht për njerëzit”.

Sa për propozimin e fundit franko-gjerman, Fajon deklaroi se beson shumë që “Kosova do të ulet në tavolinë të bisedojë dhe sigurisht këto negociata të bëhen sa më shpejt që është e mundur”.

Edhe më 13 janar, Fajon deklaroi se liberalizimi i vizave për Kosovën dhe integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në listën e prioriteteve të Bashkimit Evropian (BE).

Kryediplomatja sllovene do të takohet edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën.

Ajo do të qëndrojë në një vizitë dyditore në Prishtinë, më 15-16 janar.

Fajon të premten në Sarajevë, ka biseduar me ministren e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës (BeH), Bisera Turkoviç, e cila tha se është e shqetësuar për shkak të tensioneve që mund të ndizen sërish në Kosovë dhe BeH.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore