Lajme

Gërvalla: Kosova mbështet Ukrainën pa kushte, ani pse s’na njeh


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka potencuar se Kosova mbështet Ukrainën pa kushte, ani pse Kievi zyrtar refuzon ta njoh shtetësinë e Kosovës.

“Ukraina nuk e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet, por ne vërtet besojmë se e dimë saktësisht se çfarë po kalon Ukraina”, ka thënë ajo në një intervistë për agjencinë e lajmeve amerikane, Associated Press.

Duke folur për invazionin rus në Ukrainë, kryediplomatja ka vlerësuar se Evropa duhet të përgatitet për konfliktet të tjera në rast se Rusia nuk humb luftën ndaj Ukrainës.

“Ne e dimë se ka vetëm një zgjidhje, jo vetëm për Ukrainën, por për Evropës. Vetëm Rusia mund ta humbasë luftën dhe Ukraina të fitojë këtë luftë, përndryshe, Evropa duhet të përgatitet për konflikte të tjera në kontinentin tonë”, shtoi ajo.

Ndërsa ka komentuar vizitën dyditore të presidentit të Kinës, Xi Jinping në Serbi, Gërvalla ka thënë se ajo ka implikime për Evropën.

“Ndërsa Serbia është një vend kandidat në Bashkimin Evropian, ajo gjithnjë e më shumë po e identifikon veten me kundërshtarët e demokracive perëndimore evropiane. Nuk mund të jesh në të njëjtën kohë një shtet kandidat i Bashkimit Evropian dhe të jesh përfaqësues i Rusisë në këto kohë kur Rusia i ka shpallur luftë jo vetëm Ukrainës, por edhe Perëndimit”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore