Kosova

Gërvalla kërkon mbështetjen e BE-së për anëtarësimin e Kosovës në KiE


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në fjalimin e saj para Ministrave të Jashtme të Bashkimit Evropian, ka kërkuar që blloku evropian dhe të gjitha shtetet anëtare së saj ta mbështesin plotësisht anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Këshilli i Evropës do të na ofrojë instrumente të nevojshme për të përparuar më tej në sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Gërvalla gjithashtu ka kërkuar mbështetjen e Këshillit të BE-së dhe shteteve anëtare për kalimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE te Komisioni, në mënyrë që të fillohet procesi i gjatë i anëtarësimit.

Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që Kosova të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Kushtetuese për shqyrtim –  kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kancelari Gjermani, Olaf Scholz, në një bisedë telefonike të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ky i fundit hapa konkretë drejtë themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e Kancelarisë Gjermane.

Ndryshe javën e kaluar Kurti zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.

Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Megjithatë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të hënën, u shpreh i bindur se Qeveria e Kosovës nuk do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Përgjigja është jo, pra jo”, ka thënë shkurt ai.

Në vlerësimin e tij Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore