Lajme

Gërvalla: Drafti i Ramës për Asociacionin s’do të merret në konsideratë


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për Euronews Albania, ka komentuar edhe për raportet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, raporte këto të acaruara javëve të fundit pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës, duke deklaruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk duhet të sillet me Kosovën njëjtë si sillet një përfaqësuesi i Bashkimit Evropian apo ai i Gjermanisë.

“Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin dhe të tregojmë që në temat të cilat i shërbejnë bashkëpunimit mes dy vendeve, por edhe stabilitetit në rajon, Shqipëria dhe Kosova mund të bëhen shembulli më i mirë”, deklaroi ajo.

Kryediplomatja Gërvalla ka komentuar edhe iniciativën e kryeministrit shqiptar, i cili muaj më parë propozoi një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Nuk e kamë parë draftin dhe çdo draft i paakordinuar paraprakisht me institucionet e Kosovës nuk mendoj që është një draft i cili mund të merret në konsideratë. Komunikimi me Prishtinën përmes Berlinit, Parisit apo Londrës në një situatë të tillë kaq të ndjeshme shkakton irritime edhe lëndime”.

Rama, ishte shprehur i befasuar me mbylljen e kryetarit të Komunës se Leposaviqit, Lulzim Hetemit brenda objektit të komunës qe një muaj, megjithatë sipas kryediplomates kosovare, gjithë në këtë mes, këtij të fundit nuk i takon të i tregojë Kosovës se ku duhet të qëndrojnë kryetari i një komune zgjedhur me votë të qytetarëve të Kosovës.

Gërvalla, e cila shprehu kritika ndaj qasjes së kryeministrit Rama në raport me Kosovën, deklaroi ndër të tjera se nëse Shqipëria dëshiron të kontribuojë në situatën në Kosovë nuk duhet të anulojë takime të dy qeverive, ose të deponojë dokumente në Berlin e Francë pa komunikim paraprak me institucionet kosovare.

“Para se Albin Kurti të shkojë të bisedojë me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar rreth Shqipërisë do të prisja nga ai që ai të ulet e të bisedojë me autoritete dhe institucionet e Shqipërisë për t’u konsultuar a janë këto qëndrime të Shqipërisë”, shpjegoj ajo.

“Tigër prej letre”, Gërvalla: S’pranova asnjë vërejte nga komuniteti ndërkombëtar

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke folur për deklaratën e saj – e cila u kritikua mjaft shumë –  se Bashkimi Evropian pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n është një “tigër prej letre”, deklaroi se në shtetet e Evropës Perëndimore debati sa më i hapur është aq më produktiv, e fjalët sa më të zgjedhura aq më shumë efekt pozitivë prodhojnë.

“Prandaj në të gjithë këto ditë që kanë kaluar që nga Forumi i Dubrovnikut, unë nuk kam marrë asnjë mesazh dhe asnjë telefonatë të vetme nga partnerët tanë ndërkombëtarë, as një buzëqeshje as një vërejtje për shprehjen sepse ata janë mësuar të jetojnë në një shoqëri demokratike”, ka thënë fillimisht Gërvalla në një intervistë për Euronews Albanian.

Kryediplomatja duke arsyetuar deklaratën e saj, ka thënë se nuk e cilëson BE-në si një “tigër prej letre”, por që përmes kësaj ka dashur të shpjegoj një aspekt i cili është shumë i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor.

“Rajoni duhet ta dijë saktë se sa mund të mbështetet te BE-ja në këto kohë të trazuara. Ne me miqtë tanë duhet të flasim hapur të tregojmë se cilat shqetësime i kemi dhe duhet të tregojmë se si ne i shohim zgjidhjet, kjo nuk do të thotë se ata duhet të na dëgjojnë çdoherë, por ne duhet t’i shprehim shqetësimet tona”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore