Tanët

Figura të njohura shtetërore urojnë suksesin e Nora Gjakovës


Xhudistja, Nora Gjakova, siguroi medaljen e dytë të artë për Kosovën, në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Suksesit të saj të madh, iu gëzuan shumë figura shtetërore.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në llogarinë e saj në rrjetet sociale, u shpreh e lumtur dhe krenare me arritjën e sportistëve kosovarë.

“Në këtë dite zie për popullin tonë, Nora Gjakova i solli dritë Kosovës. Faleminderit Nora e artë, që duke ecur rrugës së Majlindës e Distrias po i jepni motiv një populli të tërë për t’u ringritur edhe në vështirësi”.

“Xhudistet tona po arrijnë majat që shumë shtete i kanë ëndërruar. Ato janë epiteti më i mirë i Kosovës së ditëve tona. Përzemërsisht, ju faleminderit”, theksoi presidentja Osmani.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi, ndau gëzimin për suksesin e Norës.

“Në garën e parë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, Kosova fiton medaljen e artë. Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh. Me zemër jam me ju në Tokio”, theksoi kryeministri Kurti.

Gjithashtu edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca u shpreh shumë i lumtur me suksesin e Norës.

“Urime Nora Gjakova – kampione olimpike. Pas Distrias, edhe Nora stoliset me medaljen e artë. Kosova rishkruan historinë me shkronja të arta në Lojërat Olimpike. Sa madhështi, sa gëzim, sa krenari”, theksoi mes tjerash Konjufca.

Gjithashtu edhe liderët e partive opozitare, përmes postimeve në rrjetet sociale, uruan dhe u gëzuan për sukseset e sportistëve kosovarë.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, falënderoi Norën, për sjelljen e gëzimit në këto ditë pikëllimi për Kosovën, pas aksidentit të ndodhur në Kroaci.

“Nora Gjakova, siguroi medaljen e dytë të artë për Kosovën në Olimpiadë. Inspirim, nder dhe krenari për të gjithë ne. Faleminderit që na gëzove në këtë ditë pikëllimi”, tha Ramush Haradinaj.

Edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një postim në Facebook, ka shprehur mirënjohje për Norën dhe trajnerin e saj Driton Kuka.

“Shumë urime për Norën Medalja e Artë Olimpike. Përulje e respekt për punën e saj e të gjithë ekipit të xhudos, të prirë nga kryemjeshtri Driton Kuka. Faleminderit gjithë ekipit të Kosovës në Lojërat Olimpike që me shumë punë e pasion po na bëjnë krenarë”, theksoi mes tjerash Krasniqi.

Suksesit kosovar, i gëzua shumë edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Një lajm i mirë në një ditë të zezë. Edhe një medalje e artë, për Norën e artë. Në këtë ditë të rëndë për Kosovën, Nora Gjakova na mbushi plot emocion duke e sjellë në Kosovë medaljen e artë të dytën nga Lojërat Olimpike Tokyo 2020”, tha Abdixhiku.

Kujtojmë që Kosova fitoi medaljen e dytë të artë në Lojërat Olimpike, pas asaj të Distria Krasniqit, dy ditë më parë.

Derisa, kjo ishte medalja e tretë e artë në Lojërat Olimpike për Kosovën, pas asaj të Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike Rio 2016.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore