Lajme

Fermerët nga Ferizaj protestojnë për zgjatje të afatit për subvencione


Dhjetëra fermerë nga Ferizaj, kanë protestuar të premten, para Qeverisë së Kosovës për shkak të mbylljes së aplikimit për subvencione.

Protesta erdhi për arsye se askush nga Ministria e Bujqësisë nuk i ka pranuar në takimin e kërkuar me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Kërkesa e tyre e vetme ishte zgjatja e afatit për aplikim të subvencioneve.

Xhevat Blenishti, fermer nga Ferizaj, tha “ne jemi disa fermerë që kemi ardhur nga komuna e Ferizajt. Para dy vjetësh është bërë mbyllja e aplikacioneve dhe ministria e bujqësisë na refuzojnë gjoja se gabimet janë në drejtorinë Ferizaj”.

Sipas, Blenishtit Drejtoria e Ferizajt për mbylljen e afatit të aplikimit e fajëson Ministrinë e Bujqësisë.

“Qe dy ditë nuk na pranon askush në Ministri të Bujqësisë, andaj kemi ardhur te Qeveria. Drejtori na ka dhënë arsyetimin se ka bërë tri herë kërkesë për zgjatjen e afatit. Unë jam fermer me 7 hektar tokë dhe asnjë donacion nuk e kam marrë nga ministria përveç subvencioneve”, raporton “EO”.

Protestuesit, foto e marrë nga Ekonomia Online

“250 fermerë na kanë lënë në rrugë dhe kemi pritur në korridore të Ferizajt dhe na kanë larguar e kemi mbetur në rrugë. Unë i bëjë thirrje zotëri Pecit se këto gabime nuk guxojnë të përsëriten sepse në qoftëse 200 fermerë kanë aplikuar të drejtën e kanë edhe këta 200 tjerë me apliku dhe ky gabim nuk guxon të përsëritet”, tha ai.

Të njëjtën gjë po e kërkon edhe fermeri tjetër, Naim Kurtaliqi.

“Ne kishim bërë kërkesë në ministri që atyre njerëzve që na kanë bërë termin në Ferizaj atyre le t’u kryhen punët, sepse jemi duke pritur me javë. U mbyll sistemi e ata njerëz që jemi të na jepet mundësia të aplikojmë”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore