Lajme

Evropa – I pari kontinent klimatikisht neutral


“Evropa është në rrugën e duhur për t’u bërë i pari kontinent klimatikisht neutral deri në vitin 2050”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mesazhin e saj e ka të qartë, në javën e gjelbër evropiane.: Mund t’i ulim emetimet e gazrave dhe të kemi prosperitet njëkohësisht.

Sipas von der Leyen, që prej vitit 1990, Bashkimi Evropian i ka ulur emetimet me 30%. Kjo, duke shtuar faktin se ekonomitë nga ana tjetër, janë rritur me 60%.

Pikërisht për këtë fakt, ajo mendon se është më se e mundur që Evropa të shohë prosperitet ndërkohë që kujdeset për planetin.

Me anë të kësaj daljeje, von der Leyen përfitoi nga rasti edhe për të prezantuar një nismë të re, së bashku me Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, e cila do të quhet Global Methane Pledge.

Nën këtë akt, shtetet pritet të përkushtohen mbi uljen e emetimeve të gazit metan. Shifra e synuar është të paktën 30%, brenda vitit 2030.

Janë 60 shtete të cilat u janë bashkuar kësaj nisme, mbi të cilën presidentja është shumë optimiste.

Një tjetër investim ndërkaq do të vijë nga BE-ja për pyjet, ku kontributi i dhënë do të jetë prej 1 miliardë eurosh.

Prej tyre, 250 milionë do të shkojnë për basenin e Kongos.

“Ju e dini se për BE-në, mbrojtja e pyjeve është një prioritet, ndaj duhet të veprojmë”, tha von der Leyen.

Ndërsa nisma e tretë, ka të bëjë me inovacionin, ku së shpejti, pritet të shpallet programi “Breakthrough Energy Catalyst”. Kjo, në bashkëpunim me miliarderin Bill Gates.

Partneritete të mëdha në fushën e energjisë, priten sakaq mes vendeve më të mëdha në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore