Lajme

Erdogan: Të kesh flotë të fortë është domosdoshmëri, jo zgjedhje për Turqinë


Marina turke dhe roja bregdetare kanë shpëtuar jetën e qindra mijëra emigrantëve të parregullt në ujërat e Mesdheut dhe Detit Egje.

Kjo është bërë e ditur nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, duke u zotuar se përpjekjet e qeverisë për t’i kthyer Forcat Detare Turke në flotat më të forta të botës do të vazhdojë pa ndërprerë.

“Është një domosdoshmëri dhe jo një zgjedhje të kesh një forcë të fortë detare për Turqinë, tri anët e së cilës rrethohen nga uji. Kjo është arsyeja pse ne i kushtojmë rëndësi të veçantë përmirësimit të Forcave tona të Marinës si në aspektin e pajisjeve dhe personelit dhe për t’i mbajtur ato të gatshme për të kontribuar në mbrojtjen e atdheut”, tha Erdogan në një video-mesazh që ai përcolli më 21 prill për ushtrinë Blu të Atdheut.

Stërvitja po kryhet nga Forcat Detare Turke në Detet Mesdhe dhe Egje që prej datës 11 prill.

Stërvitja më e madhe e marinës së Turqisë është kryer me pjesëmarrjen e 122 anijeve detare, 41 avionëve dhe 12 mijë personel ushtarak midis 11 dhe 21 prillit.

Erdogan tha se stërvitja ka përfunduar me sukses dhe ushtria turke ka treguar se janë gjithmonë gati.

Gjithashtu, ai u zotua të vazhdojë të punojë për t’i bërë Forcat Detare Turke një nga forcat më të forta në rajon dhe në botë, duke ndërtuar nëndetëse të reja dhe duke zhvilluar sisteme të reja kombëtare të armëve.

“Ushtria jonë është ajo që kryen fushatat më thelbësore të ndihmës humanitare së bashku me punët e saj për të mbrojtur kombin”, tha Erdogan, duke tërhequr vëmendjen për faktin se marina turke shpëtoi jetën e shumë emigrantëve në dete, ndërsa disa vende të zhvilluara dhe moderne po i linin këta njerëz në fatin e tyre.

Erdogan vuri në dukje se ata kanë fituar vlerësimin e botës, falë operacioneve të ndihmës humanitare dhe aktiviteteve të kërkim-shpëtimit nga Ukraina në Libi dhe nga Afrika në Azinë Qendrore.

Ai vlerësoi gjithashtu ushtrinë turke dhe personelin e saj, të cilët aktualisht po kryejnë një operacion në shkallë të gjerë antiterror në Irakun Verior, operacionin “Claw Lock”.

Së bashku me anijet detare, në stërvitje janë përfshirë edhe shumë helikopterë, avionë luftarakë dhe dronë të armatosur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore