Lajme

Erdogan dhe al-Assad mund të takohen për të bërë paqe


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij sirian, Bashar al-Assad, mund të takohen për të nisur një proces të ri të ndërtimit të paqes mes dy vendeve.

E gjithë kjo, pas një takimi të mbajtur javën e shkuar mes ministrave të Mbrojtjes së dy vendeve respektive, i cili ishte edhe i pari i këtij kalibri që prej fillimit të luftës së Sirisë në vitin 2011.

Lajmin e një takimi të mundshëm e ka bërë me dije vetë Erdogan gjatë një fjalimi që po mbante në Ankara, duke saktësuar se ndërmjetës në këtë tryezë mund të jetë edhe Moska.

Kjo e fundit, e mundësoi edhe takimin mes ministrave të Mbrojtjes javën e shkuar, me synimin e vijimit të dialogut paqësor mes Turqisë dhe Sirisë dhe për të shtyrë më tej diskutimet, në nivele sa më të larta.

Sipas të dhënave që erdhën pas takimit trepalësh më 29 dhjetor, janë trajtuar disa çështje, ku përfshihen edhe ato të sigurisë kufitare apo veprimi i përbashkët ushtarak kundrejt militantëve kurdë.

Një gjë të tillë e pohoi edhe një zyrtar i lartë turk, i cili në retorikën e tij e quajti diskutimin si një “lidhje ndërmjet kundërshtarëve”.

Turqia, prej fillimit të luftës në Siri, ka luajtur një rol të madh në konflikt, pasi mbështeti hapur kundërshtarët e presidentit sirian, Bashar as-Assad, duke dërguar trupa ushtarake në veri të vendit.

Kremlini nga ana tjetër, prej fillimit, ka mbështetur al-Assadin, në qëndrimin e tij në pushtet.

Ndaj, me ndërmjetësimin rus, është kërkuar që Turqi e Siria të afrohen në qëndrimet e tyre të luftës dhe t’i japin luftës një tjetër trajtë, kundër rebelëve.

Nëse Turqia nuk i mbështet më këta të fundit, fati i miliona qytetarëve sirianë vihet në diskutim, ku një masë e madhe e tyre u janë drejtuar edhe kufijve turq dhe kanë gjetur strehim në jug të Turqisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore