Shqipëria

Ekskluzive/ Kush e drejton ‘inteligjencën’ shqiptare?


Struktura kryesore e Inteligjencës dhe Shërbimit të Sigurisë në Shqipëri (Shërbimi Informativ Shtetëror – SHISH), do të ketë një drejtor të ri të komanduar në krye të saj.

Kjo, pas largimit të drejtuesit të SHISH-it Helidon Bendo drejt Shteteve të Bashkuara për një periudhë 12-mujore.

Lajmi u bë i ditur fillimisht nga gazetari i transmetuesit “Top Channel”, Muhamed Veliu duke cituar në kushte anonimati një zyrtar të SHISH-it.

“Albanian Post” ka mësuar se ai është zëvendësuar përkohësisht nga ish-Drejtori i Kundërzbulimit me iniciale A.L, duke cituar një burim në kushte anonimiteti nga inteligjenca shqiptare.

Sipas tij, kalimi i drejtimit të SHISH-it është bërë pa një shkresë zyrtare, për arsye që ende nuk bëhen të ditura.

Sakaq, për arsye që lidhen me sigurinë dhe ndjeshmërinë e çështjes AP-ja nuk mund të publikonte emrin e plotë të zyrtarit shqiptar.

Ai do të plotësojë vendin vakant të lënë nga Bendo, i cili është nisur drejt SHBA-ve për një trajnim me autoritetet amerikane.

Kujtojmë që SHISH është një nga dy strukturat e inteligjencës shqiptare së bashku me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM) ose ish Shërbimi Informativ Ushtarak.

Kalimi i komanduar brenda inteligjencës shqiptare erdhi në një kohë kur vendi ynë regjistroi mësymjen e dytë ndaj sigurisë së brendshme.

Kjo, pas një viti të spiunazhit rus, e cila mbetet ende për t’u konfirmuar pas hetimeve të autoriteteve vendase.

Dy rusë dhe një shtetas ukrainas të cilët tentuan të hynin në një fabrikë ushtarake në Gramsh u arrestuan më 20 gusht për spiunazh.

33-vjeçarja Svitlana Timofeeva dhe 23-vjeçari Mykhailo Zorin, dhe 24-vjeçari ukrainas Fedil Alpatov thanë në dëshminë e tyre se ata ishin blogerë dhe kryesisht fotografonin territore ushtarake që ishin të braktisura dhe të pa përdorura nga shteti.

Gjykata shqiptare urdhëroi që dy rusët dhe ukrainasi të qëndrojnë në burg për akuzat e “sigurimit të informacioneve sekrete të karakterit ushtarak apo të çdo karakteri tjetër për t’i dhënë një fuqi të huaj, e cila cenon pavarësinë e vendit”.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura dhe nuk u dhanë detaje se pse të dyshuarit mund të kenë qenë të interesuar për vendin.

Ata u arrestuan të shtunën brenda ose pranë ish-uzinës ushtarake në Gramsh. Të dyshuarit kishin bërë fotografi të uzinës.

Autoritetet shqiptare thanë se Zorin, i cili kishte hyrë në fabrikë, përdori spraj piperi ndaj dy rojeve ushtarake që po përpiqeshin ta kapnin.

Policia tha se sekuestroi automjetin e tyre Chevrolet, dy drone, një laptop, para dhe prova të tjera.

Tre të dyshuarit e mohuan akuzën për spiunazh. Nëse përfundimisht shpallen fajtorë, ata do të përballen me 10 vite burg.

Më 17 korrik 2022, Shqipëria u godit nga një sulm kibernetik i përmasave të mëdha, ku për arsye të sigurisë u mbyllën të gjithë adresat qeveritare dhe të tilla mbetën për disa ditë.

Pak nga pak, tabloja u plotësua nga shtetarët shqiptarë, duke shkuar deri në formulimin e një versioni zyrtar – i cili ende qëndron sot – i agresionit kibernetik nga një shtet i huaj.

Mirëpo, qartësisht, emri i këtij shteti dhe autorësia e saktë e sulmit, nuk është zbuluar.

Dyshimet, sipas vetë kryeministrit Edi Rama, kanë rënë mbi dy shtete, por emra, nuk janë përmendur.

Një përgjigje më të qenësishme gjithsesi, e ka kompania prestigjioze amerikane Mandiant, e cila merret me çështje të sigurisë së lartë kibernetike.

Në një raport të kësaj kompanie të publikuar më 4 gusht 2022, flitet pikërisht mbi sulmin kibernetik dhe thuhet thuajse me siguri se goditja ka ardhur nga shteti i Iranit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore