Lajme

Dubai/ Arrestohet mbreti italian i drogës i lidhur me pikturat e vjedhura të Van Gogh


Është arrestuar në Dubai një nga njerëzit më të kërkuar të Italisë, një trafikant droge i dyshuar për blerjen në tregun e zi të dy pikturave të vjedhura të Van Gogh.

I quajtur Raffaele Imperiale, ndryshe mbreti i supozuar i grupit të krimit të organizuar, Camorra, me qendër në Napoli, u arrestua më 4 gusht referuar policisë shtetërore italiane dhe trupave policore të krimeve financiare.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se 46-vjeçari Imperiale po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe teksa ministria italiane e drejtësisë përfundon procedurat e ekstradimit.

Prej janarit të vitit 2016, Imperiale është kërkuar nga Italia për trafik ndërkombëtar droge si pjesë e veprimtarisë së krimit të organizuar, sipas ministrisë së brendshme italiane.

Në Itali, ai u konsiderua si një nga të arratisurit më të rrezikshëm dhe më të kërkuar.

“Ai ishte në gjendje të ndërtonte një rrjet imponues të trafikut ndërkombëtar të drogës, veçanërisht në kokainë”, ka thënë policia.

Sipas hetuesve italianë, Imperiale nisi në fillim të viteve 2000 si një “ndërmjetës ndërkombëtar” në tregtinë e drogës, me lidhjet e tij me klanet e fuqishme të Camorra-s që mbijetuan nga grindjet e ndryshme midis mafiozëve të Napolit.

Në vitin 2016, dy vepra të Van Gogh, të vjedhura në vitin 2002 nga një muze i Amsterdamit, u gjetën të fshehura në një fermë në pronën e Imperiale-s në qytetin e lindjes së tij në Napoli.

“Pasuria e grumbulluar në mënyrë të paligjshme i lejoi atij të blinte në tregun e zi dy piktura të Van Gogh me vlerë të papërshtatshme”, ka treguar policia.

Ata i janë referuar “View of the Sea at Scheveningen” të vitit 1882 dhe një vepre të viteve 1884-1885, “Congregation leaving the Reformed Church in Nuenen”, e cila ishte vjedhur nga Muzeu i Van Gogh në Amsterdam.

Sipas “The Guardian”, policia italiane i gjeti pikturat e mbështjella me çarçafë pambuku, të futura në një kuti dhe të fshehura pas një muri në një tualet. Dhe se punimet e artit u zbuluan si pjesë e një konfiskimi të pronës së Imperiale-s.

Në fillim të këtij viti, Imperiale dha një intervistë për të përditshmen, “Napoli Il Mattino”, në të cilën ai mohoi çdo lidhje me vjedhjen e pikturave dhe pretendoi se i kishte blerë veprat sepse ai ishte një dashamirës i artit.

“I bleva direkt nga hajduti, sepse çmimi ishte tërheqës. Por mbi të gjitha sepse e dua artin”, është cituar Imperiale te gazeta. Duke mos e fshehur që kishte jetuar në Dubai për disa vjet.

Ai u largua nga Italia për në Amsterdam në vitet 1990 për të menaxhuar një kafene dhe filloi të bënte aleancë me trafikantët holandezë, sipas të përditshmes italiane “La Repubblica”.

Kështu, ia vuri sytë tregtisë më fitimprurëse të kokainës, duke zhvendosur sasi të mëdha droge në Holandë për në tregun evropian me ndihmën e trafikantëve të Amerikës së Jugut, teksa në të njëjtën kohë operonte restorante dhe kompani investimesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore