Shqipëria

Drejtësia në Shqipëri bazohet edhe në besimin e publikut, thotë Pasztory


Në “Ditën e Drejtësisë”, kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory vuri theksin tek promovimi i besimit dhe lufta e korrupsionit.

“Drejtësia nuk bazohet vetëm në ligje cilësore dhe në profesionistë të zotë, por në besimin e publikut. Dhe besimi i shqiptarëve në institucionet e tyre të drejtësisë është një bimë e brishtë, e cila rritet ngadalë dhe të cilën duhet ta ushqejmë dhe ta mbrojmë”.

Sipas saj, “çdo rast korrupsioni brenda sistemit, dhe po, ka të tillë, ju kthen prapa, ashtu si edhe çdo rast korrupsioni që nuk ndëshkohet, dhe po, ka të tillë”.

“Ju, profesionistët e drejtësisë, jeni flamurtarët e besueshmërisë së sistemit tuaj të drejtësisë dhe bashkë me të edhe të demokracisë suaj. Ju, profesionistët e drejtësisë, jeni flamurtarët e besueshmërisë së sistemit tuaj të drejtësisë dhe bashkë me të edhe të demokracisë suaj. Ju mbani një përgjegjësi të madhe, ndërsa ne vetëm sa mund t’ju ndihmojmë që ta mbani këtë përgjegjësi me krenari dhe sa më mirë që të jetë e mundur”.

Pasztory përcolli dhe mesazhin për të kundërshtuar përpjekjet për të minuar besimin në institucione nga SPAK deri tek gjykatat e shkallës së parë.

“Ne duhet që të promovojmë besimin dhe nuk duhet që të kundërshtojmë përpjekjet për të minuar besimin në institucionet tuaja nga SPAK deri tek gjykatat e shkallës së parë”.

Sot, vijoi ajo, kremtojmë përpjekjet e vazhdueshme të sistemit të drejtësisë të Republikës së Shqipërisë për nxitjen dhe promovimin e llogaridhënies, profesionalizmit dhe respektimin e shtetit të së drejtës.

Shefja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së u shpreh se “duhet të pranojmë sfidat dhe pengesat që janë ende të pranishme në zhvillimin ligjor të Shqipërisë. Prezenca e OSBE-së i mbështet të gjithë hetuesit, prokurorët dhe magjistratët e Shqipërisë. Një sulm kundër cilitdo prej tyre synon të minojë qëllimisht besimin dhe mirëbesimin në institucionet e drejtësisë”.

“Teksa e hedhim vështrimin drejt së ardhmes duam të theksojmë se është shumë e rëndësishme që të nxitet bashkëpunimi dhe dialogu mes të gjithë aktorëve në mbështetje të pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit në Shqipëri”, tha Pasztory.

Ndërsa David Wisner, i ngarkuari me punë i SHBA-ve në Tiranë dhe Silvio Gonzato, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë ishin të qartë kur thanë se Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme.

Gonzato theksoi se, bashkë me Reformën edhe arritjet e SPAK duhet të jenë të pakthyeshme.

Ambasadori deklaroi se sistemi gjyqësor ka arsye pse të jetë krenar.

“Gjyqësori ka arsye pse të jetë krenar. Reforma në drejtësi duhet të fuqizohet, të konsolidohet, duhet të arrihen më shpejt rezultatet. Drejtësia është shërbëtor i qytetarëve. Sistemi i drejtësisë luan rol kyç në sistemin e këtyre vlerave”.

Sipas tij, përpjekjet për të konsoliduar arritjet e SPAK duhet të mbështeten nga të gjithë komponentët e shtetit duke përfshirë dhe qeverinë.

“Me këtë reformë është bërë shumë, por sigurisht ka ende punë për të bërë”.

Ai theksoi se BE mbështet institucionet e drejtësisë dhe do të vazhdojë ta bëjë.

Nga ana tjetër, Wister u shpreh se lufta kundër pandëshkueshmërisë nuk fitohet e vetme.

“Ka ende punë për të bërë”, tha përfaqësuesi i SHBA-ve, i cili kërkoi që politika të bëjë më shumë.

Ai u shpreh se shteti i së drejtës është në qendër të angazhimeve amerikane.

“Reforma në Drejtësi nuk është e lehtë apo perfekte por, të gjithë qytetarët shqiptarë do të jenë krenarë për punën e bërë. Ju dhe institucionet e tjera të pavarura po sillni përgjegjshmëri për sistemin e drejtësisë duke ndërmarrë veprime kundër krimit të organizuar”.

Wisner tha se ishte e kuptueshme se ka presion politik e për këtë arsye pritshmëritë publike janë të mëdha.

“Më shumë duhet të bëhet nga politikanët. SHBA do të mbështesë përpjekjen për reforma në përputhje me kushtetutën dhe pavarësinë e gjyqësorit, inkurajojmë më shumë bashkëpunimin për reformat. Është një hap i rëndësishëm për popullin shqiptar”.

Edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zgjedhur të përçojë disa mesazhe për funksionimin e sistemit të ri.

Begaj ka shprehur mbështetje për SPAK dhe GJKKO në dhënien e drejtësisë – për të cilat tha se kanë dhënë rezultate të prekshme.

“SPAK-u dhe GJKKO-ja kanë një kontribut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha kreu i Shtetit.

Sipas Begajt, drejtësia ka forcën, kurajën dhe energjinë të përballet e të triumfojë kundër krimit dhe se për herë të parë kultura e pandëshkueshmërisë në vend u trondit thellë.

Ai në fjalën e tij kishte një apel: Kërkoni ndihmë nga institucionet e tjera në përmbushjen e misionit.

Sakaq drejtuar gjyqtarëve dhe prokurorëve, Begaj kërkoi që pavarësia të shoqërohet me transparencë dhe llogaridhënie.

“Siguroni akses efektiv e të shpejtë për çdo qytetar”, tha presidenti, i cili shtoi se gjyqtarët dhe prokurorët duhet të mbajnë pastër sistemin.

“Drejtësia e re në duart tuaja”.

Begaj ravijëzoi se rritja e kapaciteteve profesionale të magjistratëve duhet të jetë në fokus dhe një objektiv afatgjatë e i qëndrueshëm për organet e drejtësisë.

“Në këtë drejtim, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Shkolla e Magjistraturës duhet të punojnë për të garantuar standardet profesionale dhe etike të magjistratëve, për të siguruar një proces të rregullt dhe konkurrues, të ngritur mbi bazën e vlerave e meritës gjatë rekrutimeve, emërimeve apo ngritjeve në detyrë”.

Ai u shpreh se, rekrutimet dhe emërimet duhet të bëhen mbi bazën e vlerave dhe meritës.

“KLGJ-ja, KLP-ja dhe ILD-ja kontroll për cilësinë e vendimmarrjes dhe llogaridhënies”.

Për presidentin, duhet të ketë ripërtëritje të shpejtë të sistemit me magjistratë profesionistë dhe me integritet të lartë.

“E po ashtu, ritheksoj mbështetjen e plotë, pa asnjë rezerve ndaj Strukturës së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK dhe Gjykata e Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO-së për kontributin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore