Lajme

Donacionet me vaksina që i refuzoi Kosova ishin nga Polonia dhe Çekia


Donacion i vaksinave për Kosovën nga kompania COVAX.

Të premten në një konferencë për media, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, bëri të ditur se disa nga donacionet me vaksinat kundër Coronavirusit janë detyruar të mos i pranojnë për shkak se kishin afat të shkurtër të përdorimit.

Këto donacione me vaksinat “AstraZeneca” janë refuzuar në muajin korrik të këtij viti, ndërsa bëhet e ditur se këto vaksina kanë qenë donacion për Kosovën nga Polonia dhe Çekia.

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, ka bërë të ditur se vaksinat duhet të kenë në minimum gjashtë muaj afat të përdorimit.

“Nëse pranojmë donacione duhet të kenë minimum gjashtë muaj afat të përdorimit apo nuk duhet të pranohet donacioni”, ka deklaruar Syla.

Më 1 shtator, po ashtu, ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia në një konferencë për media ka bërë të ditur se janë hequr nga administrimi mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca pas skadimit të afatit, vaksina këto të cilat ishin donacion nga Norvegjia.

“Sot kemi hequr nga administrimi 133 mijë 234 Vaksina nga kompania AstraZenca pjesë e donacionit nga Norvegjia që ju ka skaduar afati. Si ministri kemi njoftuar se afati i tyre është 31 gushti i këtij viti”, tha Vitia.

Në anën tjetër, në Kosovë gjatë këtyre javëve priten të vijnë 150 mijë vaksina “AstraZeneca” nga Gjermania dhe 100 mijë vaksina nga Italia.

Sipas ministrit Vitia këto donacione do të kenë afat të përdorimit deri në nëntor të këtij viti.

93 për qind e të shtrirëve në spitale, të pavaksinuar

Të premten në një konferencë për media, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se sipas të dhënave të shtatëditëshit të fundit, duke mos përfshirë të dhënat e 3 shtatorit, mbi 93 për qind e personave me COVID-19, që po trajtohen në spitale, kanë qenë të pavaksinuar kundër Coronavirusit.

Pas mbledhjes së Komitetit për parandalimin e Coronavirusit, Vitia po ashtu tha se në shtatë ditët e kaluara, kanë vdekur 170 qytetarë.

“Gjatë kësaj jave, 170 persona kanë humbur jetën dhe nga numri total i të vdekurve, 149 kanë qenë të pavaksinuar”, deklaroi Vitia.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani u shpreh se ditëve të fundit ka indikatorë që gjendja epidemiologjike është duke shkuar drejt përmirësimit. Ndër indikatorët ai tha është edhe përqindja e pozitivitetit, ku më parë 20 për qind e të testuarve dilnin pozitiv, e tani, sipas Ramadanit kjo shifër është 13 për qind.

Valbon Krasniqi, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar potencoi se situata epidemiologjike ka tri karakteristika të reja.

“Karakteristika e parë dalluese është që kemi numër të madh të të infektuarve në një periudhë të shkurtër kohore. Pra, virusi ka fituar një fuqi, shpejtësi dhe lehtësi me të cilën po përhapet në mesin e populates”.

“Karakteristika e dytë dalluese nga valët e kaluara duke që varianti Delta ka fituar fuqi edhe në agresivitet të sëmundjes, pra në forma të rënda që po shkakton te njerëzit që po preken dhe karakteristika e tretë është prekja edhe e grupmoshave të reja, duke mos kursyer as fëmijtë dhe gratë shtatzëna”, tha Krasniqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore