Lajme

Të vaksinuar, por të shtruar në Klinikën Infektive


Klinika Infektive në Kosovë

“Po kemi pacientë që janë të vaksinuar dhe janë të shtrirë me Coronavirus në Klinikën Infektive”, tha Arben Vishaj, drejtori i Klinikës Infektive në Kosovë, kur u pyet nga Albanian Post, për infektimet e atyre që tashmë kanë marrë vaksina.

Ai ka thënë se gjithsej në klinikën infektive të shtrirë janë 114 pacientë, prej tyre 17 të vaksinuar.

“Nga 114 pacientë, i kemi të shtrirë 17 pacientë të vakisnuar që po përballen me Coronavirus”.

Vishaj shtoi se nga këta pacientë, “tetë janë të vaksinuar me një dozë të Pfizer, me dy doza të Pfizer janë tre pacientë, me dy doza të AstraZeneca janë katër pacientë, kurse me dozën Moderna dhe Sinovac e kemi nga një pacientë”.

Edhe, anesteziologe Agreta Gecaj-Gashi në Klinikën Intensive, të Coronavirusit, i tha Albanian Post se ka të shtrirë po ashtu në këtë klinikë që janë të vaksinuar.

“Nuk e di saktë numrin e tyre, por e di qe një numër prej tyre i kemi të vaksinuar dhe tash janë me Coronavirus”.

Mirëpo, epidemiologu Isuf Dedushaj, konsideron se kjo po ndodh për shkak se varianti Delta është më agresiv.

Sipas tij, “me variantin Delta një person mund të shpërndajë infeksionin deri tek tetë persona të tjerë”.

“Është afërsisht trefish më agresiv, trefish është përhapja më e fuqishme. Ky është një prej faktorëve dominantë që po paraqet komponenti Delta. Kjo është brengosëse. Përfshin moshat më të reja, ku dominon mosha mbi 20 vjeç, pra 20 deri në 40 vjeç. Tash, sikur të ishte vaksinuar popullata, të ishte arritur mbulimi i saj prej 60 deri në 80 për qind, nuk do të kishte shans që sëmundja të bëj kërdi ose të paraqitet në formë të ashpër, agresive ose masive”, deklaroi Dedushaj për Albanian Post.

Ndërsa, Dedushaj vlerëson se numri ende i vogël, i personave të vaksinuar vjen si pasojë e mungesës së një fushate më agresive për vaksinim.

“E vetmja mënyrë e parandalimit, për momentin, për këtë vend të varfër, është dhënia e vaksinës. Është fat që Kosova i ka siguruar vaksinat më të mira dhe më efikase. Janë kushtet, ka frigoriferë, ka ekipe. Do të thotë, vaksinat mund të arrijnë në çdo lloj punkti, brenda ditës dhe mund të vaksinojnë”.

Ai u shpreh se duhet marrë shembull nga vendet e perëndimit për mënyrën e vaksinimit.

“I kemi parë në Perëndim, në makina i vaksinojnë. I ndalin në rrugë njerëzit dhe i vaksinojnë. Vetëm i regjistrojnë dhe ua lëshojnë kartelat e vaksinimit. Së dyti, duhet thënë këtij populli troç, se ai që e dëshiron vdekjen, mos të vaksinohet. Vetëm ata që i kanë humbur më të afërmit, e dinë shkallën e dhimbjes dhe vuajtjes që kanë”, u shpreh Dedushaj.

Ai theksoi se institucionet duhet t’i shumëfishojnë pikat ku mund të bëhet vaksinimi, të krijojë ekipe mobile dhe t’i qasen më fuqishëm vetëdijesimit të qytetarëve për imunizimin e tyre ndaj COVID-19.

93 për qind e të shtrirëve në spitale, të pavaksinuar

Të premtën në një konferencë për media, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se sipas të dhënave të shtatëditëshit të fundit, duke mos përfshirë të dhënat e 3 shtatorit, mbi 93 për qind e personave me COVID-19, që po trajtohen në spitale, kanë qenë të pavaksinuar kundër Coronavirusit.

Pas mbledhjes së Komitetit për parandalimin e Coronavirusit, Vitia po ashtu tha se në shtatë ditët e kaluara, kanë vdekur 170 qytetarë.

“Gjatë kësaj jave, 170 persona kanë humbur jetën dhe nga numri total i të vdekurve, 149 kanë qenë të pavaksinuar”, deklaroi Vitia.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani u shpreh se ditëve të fundit ka indikatorë që gjendja epidemiologjike është duke shkuar drejt përmirësimit. Ndër indikatorët ai tha është edhe përqindja e poztivitetit, ku më parë 20 për qind e të testuarve dilnin pozitiv, e tani, sipas Ramadanit kjo shifër është 13 për qind.

Valbon Krasniqi, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar potencoi se situata epidemiologjike ka tri karakteristika të reja.

“Karakteristika e parë dalluese është që kemi numër të madh të të infektuarve në një periudhë të shkurtër kohore. Pra, virusi ka fituar një fuqi, shpejtësi dhe lehtësi me të cilën po përhapet në mesin e populates”.

“Karakteristika e dytë dalluese nga valët e kaluara duke që varianti Delta ka fituar fuqi edhe në agresivitet të sëmundjes, pra në forma të rënda që po shkakton te njerëzit që po preken dhe karakteristika e tretë është prekja edhe e grupmoshave të reja, duke mos kursyer as fëmijtë dhe gratë shtatzëna”, tha Krasniqi.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë më 3 shtator (të premten), njoftoi se janë regjistruar edhe 26 vdekje dhe 1 mijë e 448 raste të reja me Coronavirus.

Sipas raportit, dy viktima u regjistruan në Pejë, Malishevë, Viti, Gjilan Prishtinë, Prizren, Klinë, Ferizaj dhe Gjakovë, ndërkaq nga një rast me fatalitet u regjistruan në Podujevë, Lipjan, Skenderaj, Gllogoc, Kamenicë, Rahovec, Deçan dhe Vushtrri.

Nëntë viktima ishin të grupmoshës 70-79 vjeç, pesë viktima i përkisnin grupmoshës 80 vjeç e më të vjetër, aq sa u regjistruan edhe në grupmoshën 60-69 vjeç.

Po ashtu, nga tri viktima i përkisnin grupmoshës 50-59 vjeç dhe 30-39 vjeç.

Rastet e reja dalin pas testimit të 12 mijë e 558 mostrave në laboratorët publikë dhe privatë.

Nga kjo shifër, i bie që rreth 12 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë për Coronavirus.

Sa i përket infektimeve, më së shumti raste janë regjistruar në grupmoshën 30-39 vjeç, përkatësisht 287 të infektuar.

Prishtina ka regjistruar numrin më të lartë të të infektuarve, ku në 24 orë janë infektuar me COVID-19, 277 persona.

Raste aktive me Coronavirus në Kosovë janë 26 mijë e 525.

Sa i përket vaksinimit, në 24 orët paraprake janë administruar 20 mijë e 479 doza të vaksinës.

Deri më tani, në Kosovë janë vaksinuar 298 mijë e 445 persona me të dy dozat e vaksinës, ndërkaq në total janë administruar 882 mijë e 718 doza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore